Futboll

Rabotniçki vazhdon të shkruaj historinë, në raundin e tretë të Ligës Europa

24.07.2015 15:54

Në heshtje, qetë dhe pa ndonjë eufori të madhe, Rabotniçki e vazhdon udhëtimin e vet në Ligën Europa...

Në heshtje, qetë dhe pa ndonjë eufori të madhe, Rabotniçki e vazhdon udhëtimin e vet në Ligën Europa. Ekipi i trajnerit Igor Angellovski, është pa ndonjë përvojë të madhe, por e ka më të nevojshmen, karakterin fitues dhe këtë e dëshmoi edhe në takimin e mbrëmshëm ndaj Jegllavës nga Letonia, të cilën e mundi me 2-0, duke përmbysur humbjen e takimit të parë dhe duke vazhduar në raundin e tretë eliminator.

Ngjashëm si edhe në raundin e kaluar ndaj Florës nga Estonia, Rabotniçki, sfidën kthyese e nisi pa fare respekt ndaj kundërshtarit dhe kaloi në epërsi që në fillim, në minutën e gjashtë, përmes golit të Bazhe Ilijoskit.

Më pas, kaluan vetëm edhe 11 minuta dhe në skenë doli kosovari Suad Sahiti, I cili pas një depërtimi fantastik, kaloi edhe portierin kundërshtar, duke e dërguar topin në rrjetën mysafire, për përmbysje totale të “romantikëve”.

Ky rezultat mbeti I pranishëm deri në fund dhe Rabotniçki vazhdoi në raundin e tretë eliminator, ku do të takohet me gjigantin turk, Trabzonspor. Ndeshja e parë do të luhet me 30 korrik në Shkup, ndërsa sfida kthyese pas një jave në Turqi.