Maqedoni

Zaev: ka dëshmi për padi ndaj Gruevskit

24.07.2015 17:26

Prokurorit special do t’i mjaftojnë 3 muaj kohë për procedimin e rasteve që kanë të bëjnë me materialet e përgjuara, vlerëson lideri socialdemokrat, Zoran Zaev...

Sipas tij, prokurori special ka dëshmi dhe materiale të mjaftueshme për ngritjen e padive penale edhe kundër kryeministrit, Nikolla Gruevski. 
 
“Pushteti në fillim thoshte se materialet janë të ngjitura dhe krijuara. Tani nuk e thotë atë, thotë se ka indikacione. Por, “Kosmos” nuk është indikacion. Kryeministri ka nxitur dhe organizuar rrënimin e objektit. “Kosmos” është rrënuar. Ja edhe parcelat në Vodno për të cilat fliste, dëshironte t’i ndërtojë, ja po i ndërtojnë. Manipulimet zgjedhore që dëgjoheshin në “bombat”, ata qëndrojnë edhe në raportet e OSBE/ODIHR-së, “Most”-it, “Civil”-it, gjithçka është dokumentuar. Fshehja e vrasjes së Martin Neshkovskit nuk është indikacion. Ishte tabu-temë që u zbardh. Për të ruajtur pozitat dhe njerëzit e tyre, Gruevski dhe Jankullovska kanë qenë të gatshëm të shkojnë deri në fund, për të ruajtur kolltukët. Të gjitha indikacionet në këtë rast mund të dëshmohen qartë, konkretisht dhe në mënyrë precize, mjafton një njeri i guximshëm dhe i vendosur”- ka deklaruar Zaev në një intervistë për revistën FOKUS. 
 
Përveç 32 padive të dorëzuara tashmë nga LSDM-ja, Zaev paralajmëroi edhe padi të tjera në bazë të përgjimeve të papublikuara.
 
“Duhet të sigurohet transparencë, “Monstra”, Televizioni A1, lustrimi, regjistrimi... të gjitha këto materiale do të shkojnë tek prokurori special dhe në këtë mënyrë do të prekin në opinion dhe do të procedohen nga institucione publike të pavarura”- tha Zaev. 
 
Por, Zaev thekson se qytetarët duhet të dinë se nuk ka material aq preciz dhe të qartë që mund të thuhet me siguri se disa njerëzve do t’u ndryshojë fati nga ato materiale. Njëherit, lideri opozitar paralajmëron se iniciativa për prokurorin special do të vijë nga opozita. 
 
ERSAN PAJAZITI