Maqedoni

Rebalanci i buxhetit, komisioni debatoi për amendamentet e PDSh-së

24.07.2015 18:14

Debati për rebalancin e buxhetit u pasua me tone kritike në Komisionin për Financim dhe Buxhet...

Amendamentet e ngritura nga deputetët e PDSh-së për ndarjen e një milion eurove për ringjalljen e liqenit Treska dhe rregullimin e shtratit të lumit Vardar, u refuzuan nga ministri Stavreski, ndërsa nxitën debat në relacion PDSh–BDI. Deputetët e PDSh-së gjatë gjithë kohës këmbëngulën se në komunat shqiptare mungon infrastruktura elementare, si: kanalizimi, rrugët dhe ujësjellësi.
 
“Pse nuk është paraparë asnjë investim në Komunën e Sarajit, pse nuk e bëtë që ta ndërtoni ujësjellësin në Radushë, e dini se si furnizohet Radusha me ujë, e dini se sa njerëz sëmuren prej atij ujit meqë është i papastër. E dini se shumë lehtë mund të bëhet ajo, shumë lehtë, lëre kryetarin e komunës këtu vetë e bën, nuk e keni bërë”- deklaroi deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
 
Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, mohoi akuzat e deputetit Fazliu për investimet në Saraj, si dhe pretendimet se komunat shqiptare diskriminohen me buxhetin.
 
“Uji nuk është ashtu siç e thatë ju, përkundrazi, është një ujë shumë kualitativ, me bazë bashkëkohore dhe nuk e ka atë problem ashtu siç e paraqite ti. Ti këtë punën e din po dëshiron ashtu ta thuash. Sa u përket investimeve në nivel republikan, ne mund të nxjerrin argumente edhe pro edhe kundër. Ka projekte që realisht realizohen edhe në pjesën perëndimore të Maqedonisë, por nuk mund të thuhet, ose unë nuk pretendoj ta them, se ato projekte bëhen për shqiptarët, por bëhen për të gjithë qytetarët e RM-së”- tha deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.
 
Ministri i Financave, Zoran Stavreski, tha se që të realizohen projektet që kërkon PDSh, do të duhet që ato të dorëzohen në ministrinë përkatëse, si shembull ai mori projektin për pastrimin e lumenjve.
 
“Qeveria ka plan akcional, i cili realizohet nëpërmjet Ministrisë së Ambientit Jetësor për pastrimin e shtretërve të lumenjve. Nëse Komuna e Sarajit konsideron se kjo është me prioritet, le ta propozon të njëjtën në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe kjo të përfshihet në atë plan aksional”- theksoi ministri i Financave, Zoran Stavreski.
 
Komisioni refuzoi edhe amendamentet për ndërtimin e ujësjellësit në Komunën e Likovës, projekt-studimin për nxjerrje të Komunës së Çairit, siç shprehen deputetët e PDSh-së nga getoizimi, si dhe ndërtimin e rrugëve në fshatrat Rahoviç dhe Kopanicë. Debati vazhdon nesër për t’u shqyrtuar amendamentet e mbetura të PDSh-së që arrijnë në 222.
 
Buxheti i shtetit peshon 3.04 miliard euro. Të ardhurat buxhetore në gjashtë muajt e parë të vitit janë rritur për 14% më shumë krahasuar me 2014-ën dhe rreth 6% më shumë nga parashikimet për gjashtë muajt e parë të vitit. Prioritet në shpenzimin e këtyre fondeve do t’u jepet projekteve infrastrukturore.
 
Do të përfitojnë edhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Fondi i Shëndetësisë dhe Fondi Pensional.
 
MERAL ISMAILI