Maqedoni

Han: Maqedonia ishte buzë greminës; BDI: grup punues për implementimin e marrëveshjes

24.07.2015 18:17

Maqedonia nuk ka kohë për të humbur, porositi komisioneri evropian për zgjerim, Johanes Han, lidershipin në vend...

Në një shkrim kushtuar ndërmjetësimit të tij për zgjidhjen e krizës në Maqedoni, Han thekson se prej kohësh vendi ka vuajtur nga polarizimi i thellë partiak, ndërsa Evropa nuk mund të lejojë zonë jostabile në kufijtë e saj.
 
“Çështjet serioze lidhur me sundimin e ligjit që dolën në pah përmes skandalit të përgjimeve, por gjithashtu ngjarjet e Kumanovës treguan se vendi ishte në buzë të greminës si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik, si dhe rrezikonte rrugën e integrimeve euroatlantike. Nuk kishte kohë për të humbur. Bashkimi Evropian nuk mund të lejojë një zonë jostabile në kufijtë e tij. Por, më e rëndësishmja, qytetarët meritojnë më mirë”- ka theksuar komisioneri Han.
 
Ai njëherit u bën thirrje liderëve politik në Maqedoni për sjellje konstruktive dhe të shfrytëzojnë mundësitë që hapi marrëveshja politike për interesin e tyre dhe të qytetarëve. 
 
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar për formimin e një grupi pune, i cili do të angazhohet në implementimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja për dalje nga kriza politike e nënshkruar më 2 qershor. Siç njoftojnë nga BDI, grupi i punës përbëhet nga Fatmir Besimi–koordinator, Musa Xhaferi, Talat Xhaferi, Abdylaqim Ademi, Bujar Osmani dhe Artan Grubi.
 
Po ashtu grupi i punës do të angazhojë edhe ekspertë të tjerë varësisht nga temat që do të jenë pjesë e bisedimeve ndërpartiake.
 
Njëherit BDI fton të gjitha subjektet nënshkruese të marrëveshjes të përkushtohen maksimalisht në implementimin e detyrimeve që dalin nga ajo, me qëllim të rikthimit të stabilitetit politik dhe fokusim në rrugën e integrimeve, që do të sigurojë një jetë më të mirë për qytetarët.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI