Shefi i Pentagoint Carter, viziton Kurdistanin
Në kuadër të forcimit të pozitave kundër terrorizmit, shefi i Pentagonit Ashton Carter është takuar në Irak me presidentin Kurdistanit, Massud Barzani...

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përsëriti angazhimin e vendit të tij për të ndihmuar rajonin autonom verior të Irakut, i cili prej një kohe të gjatë i ka bërë ballë presionit të ISIS-it.
Carter përgëzoi Presidentin Barzani për sukseset e betejave si edhe për koordinimin e vazhdueshëm me SHBA dhe koalicionin ndërkombëtar kundër ISIS-it.
Vizita e Ashton Carter zhvillohet në një moment delikat, ku rreziku në terren është shumë i lartë pas përfshirjes së aviacionit në luftën kundër kampeve që i përkasin militantëve kurdë në Irakun Verior.
Teksa perëndimi po harton taktika të reja për të mposhtur kancerin ISIS, xhihadistët vazhdojnë me itinerarin e tyre. Ditët e fundit militantët kanë rrëmbyer me dhunë më shumë se 180 fëmijë të moshave ndërmjet 10-15 vjeç, rekrutim ky që është bërë qëllimisht për t’i trajnuar që të bëhen pjesë e grupit ekstremist.
Edhe pse numri i fëmijëve që luftojnë në terren për llogari të ISIS-it ende nuk dihet, të dhënat flasin për 1.100 fëmijë të marrë me dhunë nga familjet e tyre.
