Athina, letër FMN-së për hua, bisedimet për ndihmën mbahen të hënën
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka marrë në shqyrtim një kërkesë nga Athina për një huadhënie të re. Një letër u është dërguar përfaqësuesve të këtij fondi nga Ministria greke e Financave, përpara bisedimeve të shtyra për të hënën mes Athinës dhe huadhënësve kryesorë të saj...

“Do të diskutojmë me autoritetet greke dhe me partnerët tanë europianë kohështrirjen dhe modalitetet e nevojshme për diskutimet”, bëri të ditur FMN përmes një deklarate.
Dy masat reformuese të konsideruara si parakushte për fillimin e negociatave, tashmë janë miratuar edhe nga Parlamenti grek. Në bisedime do të jenë përfaqësues nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras pranoi kushtet e reja duke thënë se, pavarësisht se ishte kundër tyre, ato janë të domosdoshme për mbijetesën e Greqisë. Bisedimet për ndihmën e tretë prej 86 miliardë eurosh priteshin të nisnin në Greqi ditën e premte, por u shtynë për shkak të shqetësimeve se duhej zgjedhur një vend tepër i sigurt në Athinë.
Zyrtarë të BE-së dhe FMN-së janë të shqetësuar nga paniku dhe irritimi i popullit grek kundrejt tyre, për shkak të masave shtrënguese, ndaj dhe kërkojnë të sigurohen për një vend të përshtatshëm për zhvillimin e bisedimeve.
Kriza greke kapi kulmin kur Greqia nuk përmbushi shlyerjen e një kësti borxh ndaj FMN-së brenda qershorit, për arsye bankat u mbyllën për 3 javë duke kufizuar tërheqjet nga bankomatet .Një prej çështjeve kryesore që duhet ende të zgjidhet mes huadhënësve është fakti nëse është i mundshëm apo jo një lehtësim i borxhit grek.
Deri më tani, huadhënësit e kryesuar nga Gjermania kanë këmbëngulur për rritje taksash, shkurtime shpenzimesh dhe reforma të tjera financiare. Athina shpreson të ketë një marrëveshje të re ndihme përpara 20 gushtit, në mënyrë që të miratohet në Parlamentin grek përpara pushimeve. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
