Turqi, prishet armëpushimi me kurdët; Dy makina bombë vrasin 2 ushtarë turq
Pas arrestimit të rreth 600 personave në disa operacione policore në të gjithë vendin, dhe lejimit të Shteteve të Bashkuara të nisin sulmet ndaj ISIS nga territori i saj, Turqia duket se po përfiton për të vrarë dy zogj me një gur duke thyer armëpushimin e brishtë që kishte arritur me PKK...

Kjo lëvizje është shoqëruar me protesta të shumta të kurdëve në qytete të ndryshme të vendit, ku nuk ka munguar as përleshjet me policinë.
Dy ushtarë të tjerë turq humbën jetën pas shpërthimit të dy makinave bombave në juglindje të vendit, ku dominon popullsia kurde.
Sulmet janë marrë përsipër nga Partia Kurde e Punës, PKK, një organizatë që konsiderohet terroriste nga Turqia, si kundërpërgjigje për sulmet ajrore të bazave të militantëve të saj në Irak. Sipas CNN, edhe pse Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë gjithashtu PKK-në si organizatë terroriste, sulmet e avionëve turq ndaj saj nuk miratohen në Uashington, pasi ajo i ka ardhur në ndihmë forcave kurde Peshmerga që po luftojnë në terren kundër ISIS.
Turqia ndërkohë kërkon të krijojë një zonë të sigurtë në kufirin me Sirinë, për të lehtësuar mbipopullimin e qyteteve jugore turke me refugjatë kryesisht sirianë, që llogariten të jenë rreth 2 milionë.
Formimi i këtyre zonave të sigurisë është konfirmuar edhe nga zyrtarë amerikanë, të cilët thanë se kjo temë ka qenë pjesë e bisedimeve për lejimin e nisjes së avionëve amerikanë nga bazat turke.
