Maqedoni
Projekti “Maqedonia punëson”, mundësi që të vihet deri te një vend pune
27.07.2015 14:13
Nëpërmjet projektit “Maqedonia punëson”pretendohet që deri në fund të vitit të punësohen rreth 20 mijë persona...

Projekti parasheh një sërë masash aktive, ku përfshihet edhe Ligji për lirimin e kontributeve, me të cilin janë paraparë tre kategori të personave të papunë, edhe atë qytetarë deri në 29 vjeç, prej 35 deri në 55 vjeç dhe prej 55 vjet deri në pension.
“Kategoria deri në 29 vjet është 1 vit lirim prej kontributeve me kusht një vit ta mbajë dhe në marrëdhënie pune. Prej 35 deri në 55 vjet, 3 vjet është lirimi prej kontributeve, d.m.th. kontributet i paguan shteti me kusht që edhe një vit të qëndron në marrëdhënie pune te punëdhënësi, d.m.th. katër vite. Edhe kategoria e tretë, ata persona mbi 55 vjet, lirimi prej kontributeve është 5 vjet me kusht edhe 1 vit të mbahet në marrëdhënie pune”- deklaroi Vedat Zylbehari nga Agjencia për punësim.
Pjesë e masave për uljen e papunësisë është edhe kreditimi i kthyeshëm dhe i pakthyeshëm që i dedikohet biznesit të vogël.
“Kreditimet të kthyeshme me kushte të volitshme, me interes prej 1% në grejs periudhë, që nuk kthejnë bazën e kredisë që merret, mandej në bazë të një viti kthehet dhe kredia. Përveç kësaj kemi masën tjetër, ajo është grand-kredia në bashkëpunim më JUENDIPIN, d.m.th. lartësi deri në 180 mijë denarë, këto janë mjete të pakthyeshme për organizimin e biznesit privat, d.m.th. biznes të vogël me atë që në këtë rast nuk jepen të holla që të menaxhojnë, por jepet material, d.m.th. rregullimi i objektit ku do të zhvillohet biznesi, blerja e makinave dhe për materialin në qoftë se kanë prodhim”- tha Zylbehari.
Pjesë e masave që qytetarët sa më lehtë të vijnë deri te një vend pune janë edhe trajnimet. Këtu bëjnë pjesë trajnimet e profesioneve deficitare në tregun e punës.
Një pjesë e trajnimeve parashohin që tre muaj Agjencia për Punësim të paguaj personin që do të kyçet në trajnim 6500 denarë, me atë që 6 muaj punëdhënësi duhet ta mbajë në marrëdhënie pune.
Po ashtu parashihet trajnim 3 mujor, ku pagën prej 6500 denarësh për tre muaj do ta paguan Agjencia, ashtu si edhe për 6 muajt e ardhshëm, ndërsa punëdhënësi do të duhet ta mbajë në punë edhe të paktën një vit. Njëherit parashihen edhe kurse të gjuhëve të huaja dhe kompjuterëve.
Qytetarët kanë interesim për të shfrytëzuar këto mundësi, por procedura u duket paksa e komplikuar.
“Tani jam në fillim të këtyre procedurave dhe do t’i shoh se si janë. Sot nuk pashë askënd për të më sqaruar më hollësisht, por do të vij nesër prapë, sepse unë dëshiroj që të shfrytëzoj projektin për vetëpunësim, që të hap një biznes privat”- u shpreh një qytetar.
Interesimi për shfrytëzimin e këtyre masave edhe te punëdhënësit edhe te qytetarët është i theksuar, thonë nga Agjencia për Punësim, nga i cili presin që deri në fund të vitit rezultatet të jenë të dukshme.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
