Botë

Rama: Kamera në trup për çdo polic në Shqipëri

27.07.2015 15:36

Qeveria shqiptare ka promovuar sot projektin “spiunë digjitalë për çdo polic në terren”...

Ky projekt do të fillojë të zbatohet në terren në vjeshtën e këtij viti, fillimisht në Tiranë e më pas edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, deklaroi kryeministri, Edi Rama.
 
Ai tha se ky projekt do të mundësojë monitorimin e secilit polic në të gjitha aspektet, duke qenë të lidhur përmes kamerave që do të kenë në trup me qendrën operative.
 
“Të gjithë efektivët e policisë së Tiranës që do të jenë në teren, do të jenë të lidhur përmes kamerave që do të kenë në trup dhe i gjithë aktiviteti i çdo efektivi policie në teren do të jetë i monitorueshëm sekondë për sekondë, në të gjitha aspektet, që nga vendndodhja, lëvizja, komunikimi me qytetarët, deri tek reagimi ndaj çdo sjelljeje apo veprimi që bie ndesh me ligjin”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, theksoi se rezultatet e komisariatit digjital që aplikon policia shqiptare, në bashkëpunim me kompanitë celulare, janë të dukshme, e madje ka pasur interesim edhe nga vendet partnere në Bashkimin Evropian për ta implementuar edhe ata në shtetet e tyre.
 
Analizat flasin se ka pasur 14 mijë denoncime nga qytetarët brenda 10 javëve.
 
Ndërsa falë shfrytëzimit të komesariatit digjital nga qytetarët aktiv, sipas autoriteteve shqiptare, policia ka arritur që në kohë reale t’u japë përgjigje një numri të konsiderueshëm shqetësimesh përfshi parandalimin e vrasjeve dhe grabitjeve. 
 
GYLTENE SINANI