Komisioni për Financa dhe Buxhet, shqyrtohen amendamentet e PDSh-së mbi ribalancin
Në Komisionin për Financa dhe Buxhet edhe sot vazhdoi shqyrtimi i amendamenteve të PDSh-së mbi ribalancin e buxhetit...

Por, amendamentet e PDSh-së për projekte në vendbanimet e banuara me shqiptarë u refuzuan nga ministri i Financave, Zoran Stavrevski. Nga PDSh theksuan se qeveria po ndan mjete në mënyre selektive, duke i anashkaluar shqiptarët.
Deputeti, Bekim Fazliu, theksoi se përderisa gjendja e komunave shqiptare është e mjerueshme, qeveria në buxhetin e saj prej 3 miliard eurove nuk parashikon të ndajë mjete tek këto komuna, ndërsa nga ana tjetër harxhohet sasi e madhe e parave për përmendoret e projektit “Shkupi 2014”.
“Deri tani kemi të ndërtuara 24 objekte ndërtimore administrative për këtë projekt, që kalojnë shumën mbi 350 milion euro. Kemi mbi 40 përmendore, po aq skulptura. Domethënë diku 80 përmendore që kalojnë shumën mbi 100 milion euro”- deklaroi deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
“Kemi vendbanime të tëra pa infrastrukturë të nevojshme, pa kushte elementare për jetesë dhe si pasojë e krejt kësaj kemi largim masiv të qytetarëve shqiptarë dhe të rinjve nga vendbanimet e tyre”- tha deputeti i PDSh-së, Imer Aliu.
Ndërsa në punimet e sotme të komisionit nuk morën pjesë anëtarët e partisë shqiptare në pushtet, BDI, por deputetët e PDSh-së reaguan për mospraninë e tyre, duke theksuar se ky buxhet mban edhe firmën e BDI-së.(Ersan Pajaziti, TVM2)
