Konkurs në universitetet publike, regjistrimi i të moshuarve në fakultete

27.07.2015 18:03

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka shpallur sot konkursin për regjistrim nëpër universitetet shtetërore për vitin akademik 2015/2016 për persona të moshës mbi 30 vjeç për femra dhe mbi 35 vjet për meshkuj, të cilët më herët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të përfundojnë shkollimin e lartë...

“Projekti 30/35 realizohet gjashtë vite me radhë. Të gjithë të interesuarit të moshës minimum 30 që i përkasin gjinisë femërore dhe minimum 35 të gjinisë mashkullore, që kanë të kryer më herët arsimin e mesëm, që janë të punësuar ose që janë të paraqitur pesë vitet e fundit si të papunë në Entin për Punësim, do t’u mundësohet të regjistrohen në ciklin e studime me kofinancim vjetor prej 200 eurosh, në kundërvlerë denarësh”- deklaroi zëvendësministri për Arsim, Spiro Ristovski.

Në programin 30/35 këtë vit janë siguruar 670 vende të lira nëpër drejtimet deficitare. Sipas zëvendësministrit Ristovski, në UShT interesimi është më i madh për këtë projekt dhe për këtë arsye në këtë institucion janë siguruar 315 vende të lira, 230 vende të lira janë në “Shën Kirili e Metodi” në Shkup, 45 në “Kliment Ohridski” në Manastir dhe 80 vende të lira në Universitetin e Shtipit.

Projekti është përfshirë në 44 programe studimore të disperzuara në universitetet shtetërore, ndërkaq konkursi është projektuat në bazë të analizave të detajuara të tregut të punës. Deri më tani këtë projekt e kanë shfrytëzuar 1500 qytetarë, ku disa prej tyre kanë përfunduar dhe janë në marrëdhënie pune, ndërsa të tjerët janë në përfundim e sipër, deklaroi zëvendësministri për Arsim, Spiro  Ristovski. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)