Takimi i grupit punues, temat: Kodi dhe Lista Zgjedhore, KShZ dhe diaspora
Kodi Zgjedhor, pastrimi ose përpilimi i një Regjistri të ri Zgjedhor, funksionimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe mënyra e votimit në diasporë janë temat në tryezën e mbledhjes së sotme të grupeve punuese të pozitës dhe opozitës...

Me ndërmjetësimin e ekspertit belg për legjislacionin zgjedhor, Piter Vanhojt, përfaqësuesit e partive politike duhet të futen në bisedime thelbësore se si do të funksionojnë organet zgjedhore dhe a do të ketë ndryshim të modelit zgjedhor.
Grupet punuese do të shqyrtojnë të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian, ato të OSBE-ODIHR nga zgjedhjet e kaluara, por edhe vërejtjet e fundit nga Pribe. Për listën e zgjedhjeve ekziston një propozim në tavolinë që parashikon paraqitjen aktive të qytetarëve të interesuar para procesit zgjedhor. Por, ka edhe versione të tjera, si kontrollim i listës aktuale zgjedhore përmes kontrolleve në terren.
Sa i përket legjislativës zgjedhore, grupet do të shqyrtojnë edhe modelin zgjedhor, njësitë zgjedhore, si dhe votimin e diasporës. Jozyrtarisht mësohet se OSBE-ja dhe KE-ja kanë kërkuar heqjen e deputetëve të diasporës, pasi me zgjedhjen e tyre shkaktohet pabarazi në peshën e votuesve dhe numrin e votave me të cilat zgjidhet një deputet.
Grupet punuese gjithashtu pritet të diskutojnë edhe për ndryshimin e formatit dhe kompetencave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Përbërja aktuale e KShZ-së do të shkarkohet në tërësi dhe do të zgjidhen anëtarë të rinj, ndërsa atyre do t’u jepen edhe më shumë kompetenca. (Sanije Kasami, TVM2)
