Maqedonia lidere e rajonit për masat luftuese
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për trafikim me qenie njerëzore, në të cilin Maqedonia është lidere e rajonit në luftimin e kësaj dukurie, duke u rradhitur në grupin e vendeve të kategorisë së parë....

Pas publikimit të raportit, ShBA-të i urojnë Maqedonisë që sërish e arriti statusin e vendit të Kategorisë së parë. "Përpjekjet e Qeverisë së Maqedonisë në luftën kundër këtij krimi të tmerrshëm viteve të fundit kanë përfshirë persekutime dhe gjykime për nëpunësit policorë për pëzierje në tregtinë me njerëz, iniciativa për identifikim të fëmijëve-viktima dhe paraqitjen e tyre në organizatat që ofrojnë ndihmë, si dhe rritja e madhe e buxhetit për mbrojtjen dhe përkrahjen e viktimave. ", qëndron mes tjerash në urimin e SHBA-ve drejtuar Maqedonisë.
Shqipëria radhitet në grupin e dytë të listës si vend me probleme sa i përket kësaj dukurie. Raporti thotë se gratë dhe fëmijët janë viktimat kryesore të trafikut në vendet fqinje dhe në vendet e Bashkimit Europian, por edhe brenda Shqipërisë ku shfrytëzohen seksualisht, për punë të detyruar apo për lypje.
Raporti thotë se qeveria shqiptare nuk përmbush ende standardet minimale për të luftuar fenomenin, megjithëse vërehet progres domethënës në këtë drejtim. Edhe Kosovën raporti e rradhitë në kategorinë e dytë, të të ashtuquajturës “Tier-2”, ku rangohen shtetet, qeveritë e të cilave nuk i përmbushin kriteret minimale për luftimin e kësaj dukurie, por po bëjnë përpjeke për t’i arritur këto kritere. Kosova është destinacion për gratë, fëmijët dhe burrat të cilët i nënshtrohet trafikimit seksual dhe punës të detyrueshme, përfshirë në industrinë e restoranteve.
Në raport Tajlanda mbetet në listë si shkelësi më i madh, sa i përket trafikimit me qenie njerëzore. Edhe Rusia është në listën e zezë. Në anën tjetër, Kuba dhe Malajzia u larguan nga lista e zezë.
