Futboll

Skënderbeu për histori në Champions

28.07.2015 11:30

Kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, është shumë pranë një suksesi historik...

Gjithçka do të varet nga dy përballjet që do të ketë në turin e tretë paraeliminator të Champions League, ku shorti e ka vënë përballë moldavëve të Milsamit, një skuadër shumë e fortë gjatë viteve të fundit dhe që ka pasur një sukses të madh.  
 
Ndeshja e parë luhet sonte në orën 19:00 në Moldavi dhe korçarët do të tregojnë kujdes që të mos pësojnë humbje, me shpresa të mëdha se mund t’ia dalin të marrin rezultat pozitiv që do t’i favorizonte për ndeshjen e kthimit dhe për kualifikimin.
 
Vetëm dy takime larg historisë dhe skuadra e trajnerit Mirel Josa ka shansin e madh të futet në fazën e grupeve të Champions, ose më e pakta në fazën e grupeve të Europa League, gjithmonë nëse eliminon Milsamin.
 
Në kampin korçar janë angazhuar të gjithë në funksion të këtij qëllimi, duke filluar nga lojtarët, trajneri dhe pjesëtarët e tjerë të stafit, si dhe nga drejtuesit e klubit me në krye presidentin Ardian Takaj.  
 
Optimizmi është shumë i madh, por Skënderbeu ka udhëtuar dje drejt Kishinievit, kryeqytetit të Moldavisë, me mungesa të rëndësishme dhe me probleme sidomos në repartin e mbrojtjes.
 
Trajneri Mirel Josa në sfidën e parë ndaj Milsamit duhet ti bëjë llogaritë pa dy nga mbrojtësit kryesore të skuadrës, pasi Tefik Osmani është i dëmtuar ndërsa Renato Arapi është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq që mori në takimin e kthimit ndaj Krusejdërs. 
 
Synimi parësor i Skënderbeut në Moldavi do të jetë të shënojë minimalisht një gol, që në fushën kundërshtare ka vlerë dyfish dhe mund ti ndihmonte shumë korçarët për të kaluar me sukses edhe raundin e tretë kualifikues të Champions League.