Sportet E Tjera

Mundje: Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria përgatiten bashkë për Botërorin e Las Vegasit

28.07.2015 12:02

Nën prirjen e seleksionuesit Lulzim Vrenezi, reprezentacioni I Maqedonisë në mundje ka nisur ciklin e fundit përgatitor...

Nën prirjen e seleksionuesit Lulzim Vrenezi, reprezentacioni I Maqedonisë në mundje ka nisur ciklin e fundit përgatitor, në vigjile të Kampinatit Botëror, që në muajin shtator do të mbahet në Las Vegas të SHBA-ve.
 
Përgatitjet, në të cilat janë të gjithë reprezentuesit vendas, por edhe përfaqësueset e Kosovës dhe Shqipërisë, kanë filluar në Shkup, për të vazhduar më pas në Bullgari, para udhëtimit tej oqeanit Atlantik.
 
Me përkushtim të madh I vazhdojmë përgatitjet dhe e presim Kampionatin Botëror, është shprehur seleksionuesi i Maqedonisë, Lulzim Vrenezi. 
 
“Faza e parë fillon pikërisht në klubin e mundjes Liria, apo palestrën sportive “Mentaz Allajbegu”. Pos reprezentuesve më të mirë të Maqedonisë, janë të ftuar edhe kombëtarja e Kosovës dhe Shqipërisë. Besoj që ta kalojmë këtë fazë sa më të mirë, para se të vazhdojmë me fazën tjetër të përgatitjeve, në Teteven të Bullgarisë. Mos të kemi lëndime, ky është synimi ynë parësor, pasi atje do të na presin disa lufta kontrolluese. Mendojmë që fazën të tretë dhe përfundimtare ta kemi në Kolorado të SHBA-ve, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik dhe e gjithë kjo, me synim të vetëm, arritjen e rezultateve sa më të mirë në Las Vegas”, është shprehur Lulzim Vrenezi.
 
Dejan Mitrov dhe Jasin Rexhallari, janë mundësit nga të cilët pritet të japin më së shumti në Botërorin e Las Vegasit dhe të dytë shpresojnë që me përgatitje të mira, mund të arrijnë rezultate pozitive. 
 
“Ne jemi optimist në gjithë këtë punë. Ushtrojmë me intenzitet të lartë. Pas përgatitjeve fillestare këtu në Shkup, do të bashkangjitemi në kampin e bullgarëve në Teteven, ku do të kemi shumë sparing partnerë kualitativ. Do të ushtrojmë me ata, duke I analizuar përparsitë por edhe anomalitë e tyre. E gjithë kjo me synim që të arrihet rezultat pozitiv dhe norma olimpike për Rio vitin 2016”, u prononcua Mitrov.
 
“Shpresoj që të përgatitemi sa më mirë për Kampionatin Botëror në Las Vegas dhe atje të paraqitemi sa është e mundur më mirë. Njëashtu, shpresoj që në Amerikë të udhëtojmë sa është e mundur më herët, me të vetmin qëllim, të ambientohemi sa më mirë, pasi kushtet klimatike aty janë më ndryshe”, deklaroi Rexhallari.
 
Nga ana tjetër, Egzon Shala, reprezentues I Shqipërisë, shpreson që përgatitjet të ecin mirë dhe në Las Vegas të arrihen rezultate sa më të mira.
 
“Prej sot kemi filluar me përgatitjet, duke e falenderuar klubin e mundjes Liria. Shpresoj që përgatitjet të vazhdojnë mirë, sepse do të kemi kundërshtar të mirë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Me shpresë që të përgatitemi sa është e mundur më mirë gjatë kësaj kohe, synojmë që në Las Vegas të arrijmë rezultate sa më të mëdha”, u shpreh Shala. 
 
Kampionati Botëror në mundje, do të mbahet në Las Vegas të SHBA-ve, duke filluar prej shtatë e deri më 15 shtator. 
 
MUSTAFA ADEMI