Botë

NATO mblidhet për Sirinë, Turqia kërkon mbështetje për sulmet

28.07.2015 15:02

28 vendet anëtare të NATO-s në një takim të jashtëzakonshëm diskutuan sot fushatën e Turqisë kundër Shtetit Islamik dhe militantëve kurdë....

Ishte Ankaraja ajo që e kërkoi takimin pas një ndryshimi të menjëhershëm të qëndrimit të saj kundrejt konfliktit sirian. 
 
Përpos shënjestrimit të xhihadistëve, Turqia përmes sulmeve godet edhe pozicionet e  Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit pasi për Ankaranë, mes ISIS dhe PKK-së nuk ka ndonjë ndryshim të madh; që të dy këto grupe i konsideron organizata terroriste.  
 
Qeveria turke e ka mbyllur për një kohë të gjatë njërin sy përballë avancimit të Shtetit Islamik dhe i ka mbështetur xhihadistët që i kundërviheshin regjimit të Bashar al Assad.
 
Por një sërë veprimesh të militantëve, e sidomos sulmi kamikaz i Suruçit, e kanë nxitur më në fund Ankaranë të hidhet në aksion.
 
Kritikët besojnë megjithatë se Turqia po i përdor sulmet ndaj ekstremistëve vetëm si maskim për qëllimin e saj të vërtetë, që është goditja e një armiku të vjetër: kurdët.
 
Ngurrimi i Ankarasë për ta sulmuar më parë ISIS, sipas këtyre zërave, ishte në fakt ngurrim për të ndihmuar kurdët që luftonin kundër Shtetit Islamik dhe tani që mund t’i bombardojë të dyja palët, Turqia është e gatshme të përfshihet në betejë.