Ambasada amerikane dhe opozita në Shqipëri, reagime pas publikimit të raportit të DASH

28.07.2015 15:57

Raporti i Departamenti Amerikan të Shtetit që flet për një deputet shqiptar të dënuar për trafik qeniesh njerëzore, është konsideruar nga Ambasada e SHBA-ve si një gjë e turpshme...

"Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarte të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë", - thuhet në deklaratën e ambasadës Amerikane në Tiranë.

Ambasada gjithashtu nxit qeverinë shqiptare që të shtojë edhe më shumë përpjekjet që Shqipëria të dalë nga harta e vendit origjinë të trafikut të qenieve njerëzore. Edhe lideri i opozitës Lulzim Basha ka reaguar lidhur me raportin e Departamentit të Shtetit mbi trafikun e qënieve njerëzore.

Ky raport është pasqyrimi më i mirë i situatës në të cilën ndodhet aktualisht Shqipëria, ka thënë Basha.

“SHBA-të kanë folur dhe po flasin me shqetësim të madh për kriminalizimin e institucioneve publike dhe parlamentit.BE, parlamenti evropjan, vendet anëtare, po kështu PD dhe opozita e kanë bërë prej kohësh kryefjal të qëndrimeve dhe aksionit të tyre politik” – tha Kryetari i PD-së, Lulzim Basha. 

“Shqipëria është rasti unikal kur trafikantët e qenieve njerëzore, tutorë të vajzave shqiptare të shndërruara në skllave të prostitucionit, emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë dhe shefa të rëndësishëm në poste kyçe nga kryeministri Edi Rama dhe ortaku i tij, Ilir Meta”, u shpreh Basha. (Naim Sinani, TVM2)