LR-PDSH: BDI do edhe një universitet për punësime partiake!
Lëvizja për reforma në PDSH, thotë se ideja e BDI-së për një universitet të ri public në Shkup, është një manipulim që u bëhet shqiptarëve dhe është ide e destinuar të dështojë...

“Kjo ide nuk është e dedikuar që të përmirësojë cilësinë e arsimimit të shqiptarëve, por është vetëm një vazhdimësi e propagandës shumëvjeçare që e bënin ata me Universitetin Shtetëror të Tetovës, duke e përvetësuar dhe shndërruar këtë projekt kombëtar, në interes partiak për qëllime të politikës së tyre ditore. Prandaj, ne gjykojmë se edhe ideja e themelimit të një Universiteti tjetër ka po këtë qëllim manipulativ politik për interesa partiake dhe klanore, duke luajtur edhe me kartën e punësimeve të anëtarëve të saj në këtë institucion, pa mos llogaritur dëmin afatgjatë që i shkaktohet arsimit sipëror të shqiptarëve me kuadro të tilla jomeritore. Shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë edhe aq nevojë për themelim të një institucioni tjetër të arsimit sipëror sa që kanë nevojë për ngritjen e cilësisë së arsimit në universitetet ekzistuese e sidomos në USHT, sepse dështimet me disperzimet nëpër qytetet me shumicë shqiptare, që çuan në ndërprerjen e funksionimit të tyre qoftë në Strugë, Dibër, pjesërisht në Shkup, Kërçovë e Kumanovë, janë pikërisht rezultat i paaftësisë projektuese dhe menaxhuese të BDI-së, e që në masë të konsiderueshme ka ulur cilësinë e mësimdhënies dhe ka degraduar nivelin akademik të këtij institucioni” - thonë nga LR në PDSH.
