MASH: USHT ka mbështetjen tonë maksimale

28.07.2015 16:28

Ministria e Arsimit dhe Shkences ka reaguar ndaj materialeve të publikuara në disa media se ideja për hapjen e një universiteti të ri në Shkup, diskriminon USHT-në...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës trajton në mënyrë të barabartë dhe të drejtë të gjitha Universitetet publike në vend dhe respekton çdo vendim të tyre duke konsideruar që autonomia e tyre është e garantuar dhe është baza e zhvillimit të pavarur të tyre.

Në këtë frymë ka respektuar dhe ka ndihmuar edhe USHT-në si i vetmi universitet publik në gjuhën shqipe në Maqedoni.

MASH dhe Qeveria e RM-së deri më tani kanë investuar në USHT si në objekte infrastrukturore, ashtu edhe në ngritjen e kuadrit me qëllim të vetëm për të ngritur cilësinë në arsim, siç edhe i kemi bërë publike projektet tona.

Vetëm në vitin e fundit për nevojat e Fakultetit të Mjekësisë u siguruan hapësira plotësuese, përfundoi furnizimi me laboratorë dhe literaturë shkencore. U ndërtua salla e sporteve e kompletuar me pajisje sportive.

Mbi 150 administrator të angazhuar në këtë universitet do të marrin vendime pune në bazë të Ligjit për transformimin e vendeve të punës, ndërsa është duke u përgatitur edhe projekti për kampusin e Universitetit që do të jetë në Shkup.

Kur behet fjalë për arsimin shqip prej këtij viti për herë të parë financohet edhe UEJL-ja dhe Fakulteti i Shkencave Islame përkujtojnë nga MASH. 

MASH: Mirëpresim çdo iniciativë të re për arsimin shqip

MASH do të mirëpresë çdo iniciativë për institucione të reja të arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe do të shqyrtojë të njëjtat. Vendimet e MASH-it do te jenë në harmoni me nevojat e shqiptarëve për arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe në veçanti për Shkupin.

Asnjë iniciativë nuk duhet të kuptohet dhe të vihet në konotacion negativ për USHT-në, sepse ky universitet është dhe do të mbetet projekt kombëtar dhe do të ketë mbështetjen e plotë të MASH-it dhe Qeverisë së RM-së. (Merita Gashi, TVM2)