Chelsea fiton Barcën në Champions Cup

29.07.2015 12:33

Fitore e rëndësishme për Chelsea-in në International Champions Cup. Skuadra e Jose Mourinhos mposhti 4-2 pas goditjes së 11-metrshave Barcelonën e Luis Enriques me 90 minutat e kohës së rregullt që përfunduan në barazim 2-2...

Në FedExField në Landover të Maryland-it, sfida nisi menjëherë me gol për Chelsea-in. Pa u mbushur ende 10 minuta lojë ylli i Bluve të Londrës belgu Eden Hazard shpiku nga repertori i tij një gol spektakolar edhe për kënaqësinë e Jose Mourinhos, i cili në një intervistë të pak ditëve më parë e konsideroi 24-vjecarin një futbollist më të mirë se Cristiano Ronaldo.

Hazard avancoi që nga mesfusha dhe pasi shmangu tre kundërshtarë me një goditje të bukur nuk i dha asnjë Marc Andre Ter Stegen-it.

Gjithsesi Barcelona nuk dëshironte të pësonte humbjen e dytë radhazi në International Champions Cup pas asaj ndaj Manchester United dhe arriti të reagonte.

Në minutën 52-të Suarez me një parabol barazoi shifrat ndërsa cerek ore më vonë i riu Sandro Ramirez realizoi një gol shumë të bukur duke i dhënë avantazhin blaugranave.

Barca e ruajti epërsinë deri në minutën e 85-të kur Gary Cahill përfitoi nga një pasiguri në dalje e portierit Jordi Masip duke realizuar golin e barazimit.

Nga pika e bardhë e penalltisë lojtarët e Chelsea-it u treguan më të saktë me Courtois që ndali tentativat e Halilovic dhe Pique ndërsa francezi Loic Remy realizoi 11-metërshin e fundit që i dha fitoren me shifrat e përgjithshme 6-4 formacionit të Jose Mourinhos.