BDI reagon sërish për universitetin e ri

Ideja jonë, iu bë dikujt “therrë në sy”

29.07.2015 13:57

BDI ka reaguar edhe sot reth zhurmës që doli pas publikimit mediatik të idesë për hapjen edhe të një universiteti të dytë shtetëror në Shkup për shqiptarët...

“Një ide fisnike e kombëtare si hapja e një universiteti të ri në Shkup, është më shumë se absurde të negativizohet mediatikisht në këto përmasa. Aq më tepër kur nisma është ende një ide. Për ne dhe për qytetarët do të ishte e pritshme të iniciohet debat për cilëndo çështje, por të organizohet një fushatë e tërë kundër avancimit të arsimit të lartë dhe ndërtimit të institucioneve arsimore, është thjesht e pakuptueshme” thonë nga BDI duke përkujtuar se Hapja e shkollave dhe universiteteve, dhe në këtë kuadër edhe ndërtimi i kampit universitar në kazermën Ilinden, është vazhdimësi e politikave të BDI-së dhe kjo është faktuar në të gjitha periudhat e qeverisjes sonë.

“Ky nihilizëm qëllimkeq, më shumë se për vete idenë e hapjes se universitetit, na flet për tendencën për të sulmuar BDI nga qarqe të cilave u pengon që shqiptarët të përfaqësohen nga një parti e fortë, me përcaktime të palëkundura kombëtare dhe ndërkombëtare” thuhet në reagimin e sotëm të BDI-së. Kthimi i Shkupit në një qendër universitare me tre universitete, përfshi dhe UEJL dhe USHT është therë në sy për shumë qarqe, grupe e subjekte të njohura dhe të panjohura për ne. Sidoqoftë, motivet e kësaj fushate sa negative, po aq edhe absurde, janë të njohura për BDI-në dhe opinioni do të njihet me to në periudhën në vijim” thuhet në reagimin e sotëm të bashkimit demokratik për integrim.

LEUNORA KALIQI