Libertadores, pa fitues finalja e parë Tigres-River Plate
Përfundoi në barazim pa gola finalja e parë e Copa Libertadores mes meksikanëve të Tigres dhe argjentinasve të River Plate, rezultat ky që lë gjithcka të hapur për sfidën e kthimit që do të zhvillohet pas 1 jave në Buenos Aires...

Edhe pse u zhvillua një lojë shumë emocionuese në Estadio Universitario në qytetin e Nuevo Leon golat munguan. Te Tigres trajneri brazilian Ricardo Ferreti e nisi që nga minuta e parë me dyshen sulmuese Rafael Sobis- Andre Gignac por as ish bomberi i Marsejës që është njëkohësisht edhe futbollisti më i paguar i kampionatit meksikan nuk mundi të bënte asgjë.
Ndërkohë te Los Milionarios u ndje mungesa e sulmuesit kolumbian Teofilo Gutierrez i cili pak ditë më parë u zyrtarizua si blerja më e re e Sportingut të Lisbonës. Në fillimin e sfidës mbrojtësi i Riverit Jonathan Maidana ishte me fat që nuk u ndëshkua nga arbitri kryesor teksa goditi pa top francezin Gignac. Fati ishte sërish me argjentinasit në minutën e 18-të kur uruguiani Arevalo Rios harkoi një top në zonë i cili u devijua më pas Leonel Vangioni dhe përfundoi në traversë.
Pak sekonda më vonë portieri i Riverit Marcelo Barovero ndali tentativën me kokë të Rafael Sobis. 20 minuta përpara fundit trajneri i skuadrës argjentinase Marcelo Gallardo në mënyrë të cuditshme u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri pasi u ankua për një lazer të tifozëve që i ishte drejtuar në fytyrë.
Në minutën e 78-të Barovero ndali edhe një goditje standarte të Juninhos dhe në Meksikë gjithcka përfundoi në barazim 0-0. Finalja e kthimit e Copa Libertadores ku do të përcaktohet edhe skuadra fituese e këtij edicioni do të zhvillohet në 5 Gusht në Estadio El Monumental.
