AIVO ORAV PËR TVM

Nuk keni shanc të dytë, zbatoni marrëveshjen

30.07.2015 17:15

Zbatimi i marrëveshjes së Përzhinos dhe reformat do të duhet të jenë prioritet i Maqedonisë në periudhën që vjen, vlerëson ambasadori i BE-së në vend Aivo Orav në një intervistë për TVM...

Prokurori special dhe emërimi i ministrave të rinj sipas Orav pritet të jenë pikat më të nxehta i grupeve punese.

Megjithë peripecitë Orav thotë se ky është momenti final që partitë politike të punojnë në jetësimin e këtij dokumenti ashtu edhe siç janë zotuar duke i vënë interesat shtetërore mbi ato partiake.

“Prokurori special me një autonomi të plotë do të duhet që të emërohet më së voni deri më 15 shtator. Shpresoj që partitë politike do të gjejnë vetë zgjidhje dhe nëse është e nevojshme do të ndihmojmë sërish. Çështja e dytë kritike është 20 tetori kur do të duhet të emërohen dy ministra të rinj dhe pesë zv.ministra. Më kritike duket se do të jetë ministria e punëve të brendshme” – tha ambasdori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Orav shpreson se marrëveshja politike e Përzhinos do të hap rrugën  e vendit drejt BE-së dhe NATO-s. Orav thotë se vendi nuk ka alternativë tjetër përpos zabtimit të reformave.

“Reformat të cilat duhet të miratohen do të duhet edhe të zbatohen shumë shpejt dhe në mënyrë perfekte. Kjo është e vetmja mundësi që qeveria bashkë me opozitën dhe shoqërinë civile që ti zbatojë reformat. Nëse kjo mundësi nuk shfrytëzohet tani atëherë nuk do të ketë shansë të ri. Fillimisht marrëveshja të zbatohet 100% dhe e dyta, të zbatohen gjitha reformat që janë rekomanduar vendit” – tha ambasdori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Bashkimi Europian po punon në përpilimin e progres raportit. Ka mbetur vetëm një muaj e disa ditë në përmbylljen e këtij dokumenti. Orav thotë se nuk ka shumë gjëra pozitive për t’u raportuar duke e lënë kështu në pikëpyetje edhe mundësinë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim të vendit në BE. (Meral Ismaili, TVM2)