Bosnja nuk ndryshon veton ndaj njohjes së Kosovës

30.07.2015 18:09

Bosnje Hercegovina nuk do të ndryshojë qëndrim ndaj çështjes së njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se mes dy vendevenuk duhet të ketë asnjë kontakt apo bashkëpunim në dobi të qytetarëve...

Kështu është shprehur sot në Tiranë, ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, Igor Crnadak, gjatë një takimi që pati me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati.

Ndërsa foli për qëndrimin e Bosnjes ndaj Kosovës, ministri tha se po mendohet të nënshkruhen disa marrëveshje për të lehtësuar lëvizjet e qytetarëve nga njëri vend në tjetrin si dhe për shkëmbimet tregtare.

“Lidhur me Kosovën situata është krejt e qartë. Kur flitet për njohjen e Kosovës si shtet, gjërat nuk do të ndryshojnë për momentin dhe nuk ka diskutime apo konsensus për këtë gjë në Bosnje. Pra, ne nuk jemi duke diskutuar për këtë apo të marrim vendime të reja lidhur me këtë çështje. Por Këshilli i Ministrave të Bosnjes është dakord për disa marrëveshje për të mirën e qytetarëve; po për piqet që të lehtësojë lëvizjet, udhëtimet e njerëzve, dhe të bëjë që jeta të ecë përpara;pra po përpiqemi që të lehtësojmë rrugët dhe lëvizjet e qytetarëve nga Bosnja në Kosovë dhe nga Kosova në Bosnje; dhe gjithashtu po përpiqemi që të kemi disa shkëmbime tregtare. Pasi unë jam i mendimit që nisur nga fakti që Bosnja nuk e ka njohur Kosovën kjo nuk do të thotë që njerëzit në jetën reale duhet të vuajnë; jo duhet të ecim përpara dhe ne po mundohemi që të kontribuojmë për këtë,” tha ministri i Jashtëm Boshnjak.

Ndërkohë gjatë kësaj vizite në Tiranë, mes Shqipërisë dhe Bosnjës, u nënshkrua “Marrëveshja mbi lëvizjen e ndërsjellë të qytetarëve me Karta Identiteti”.

Ministri Bushati tha se marrëveshja më së shumti i shërben turizmit, pasi tani pushuesit do ta kenë më të lehtë lëvizjen nga njëri vend në tjetrin.