Lufta e SHBA-ve ndaj IS-it, kosto tejkalon 3 miliardë dollarët
Lufta pothuajse njëvjeçare e Shteteve të Bashkuara kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri i ka kushtuar shtetit amerikan më shumë se 3 miliardë dollarë. Shifra bëhet publike në raportimin më të fundit të Pentagonit...

Sipas shifrave të publikuara, deri në 15 korrik 2015, kostot operacionale të fushatës kundër ekstremistëve, e nisur zyrtarisht më 8 gusht 2014, ka kushtuar saktësisht 3,21 miliardë dollarë, ose mesatarisht 9,4 milionë në ditë.
Shifra është gati dyfishuar që kur Shtetet e Bashkuara vendosën të zgjeronin operacionin e tyre edhe në Siri, përveç se në Irak. Të dhënat tregojnë se 70% e këtij fondi, më shumë se 2 miliardë dollarë, i janë akorduar operacioneve të forcave ajrore, që kanë kryer edhe sulmet mbi bazat e militantëve të ISIS në zona të caktuara për të ndihmuar veprimet në terren të ushtrisë irakiane dhe rebelëve të moderuar sirianë e kurdë.
Megjithatë, sado e lartë mund të duket, shifra përbën vetëm 0,5% të buxhetit vjetor të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
