Palestinë, digjet foshnja 18 muajshe

Netanjahu: Akt terrorist, kushdo ta ketë kryer

31.07.2015 13:34

Një foshnjë palestineze është djegur në shtëpinë e tij në një fshat në bregun perëndimor. I mituri 18 muajsh humbi jetën pas flakëve që përfshinë banesën ndërsa prindërit dhe vëllai i tij 4 vjeçar morën plagë...

Sipas policisë, sulmuesit kishin shkruar në muret e banesës fjalën hakmarrje.  Kryeminsitri izraelit e konsideroi sulmin të tmerrshëm.

“Ky është një akt terrorist, në çdo aspekt të tij dhe shteti i Izraelit ka një qëndrim të ashpër e të palëkundur ndaj terrorizmit, pavarësisht se cilët janë autorët e tij” – tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.

Por, deklarata e Netanyahut nuk ka mjaftuar të bindë palestinezët se akti çnjerëzor është në fakt thjesht nismë individuale e një grushti kolonësh hebrenj.

Organizata për çlirimin e Palestinës, e cila dominon Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor, tha se qeveria izraelite mban “përgjegjësi të plotë për vrasjen brutale të fëmijës, Ali Saad Davabsha”.

“Kjo është pasoja e drejtpërdrejtë e dekadave të tëra pandëshkueshmërie që ekzekutivit izraelit i ka rezervuar terrorizmit të kolonëve”, thuhet në deklaratën e saj. Vrasja e foshnjes vjen në një kohë përshkallëzimi të tensioneve në rajon. 

Të mërkurën, grupe kolonësh u përleshën me policinë pasi autoritetet izraelite shkatërruan dy godina në ndërtim për të cilat Gjykata e Lartë kishte dalë në përfundimin se janë ngritur ilegalisht në tokë me pronarë palestinezë.

Vdekja e fëmijës mes flakëve që plagosën prindërit dhe vëllain e tij 4-vjeçar Ahmad, ngjason shumë me akte të mëhershme vandalizmi nga ekstremistët hebrenj, pjesë e një “strategjie shënjestrimi” që vjen si formë shpagimi ndaj aksioneve kundër ndërtimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor. (Migena Gorenca, TVM2)