Europa League, pezullohet për shkak të dhunës Kukësi-Legia

31.07.2015 13:46

Ekipi i Kukësit duket se do t’i japë parakohe lamtumirën Europa League...

Kjo për shkak të dhunës së tifozëve gjatë pjesës së dytë të takimit të luajtur në “Qemal Stafa” ndaj Legia-s së Varshavës.  

Goditja e një lojtari të ekipit polak me send të fortë në kokë solli ndërprerjen e ndeshjes dhe më pas u mor vendimi për pezullimin përfundimtar të takimit. Tashmë do të jetë Komisioni i Disiplinës së UEFA-s që do të vendosë për fatin e këtij takimi.  

Kukësi gjatë sezonit 2013/2014 të Europa League, është dënuar dy herë në UEFA për shkak të sjelljes së dhunshme të tifozëve.  

Për shkak të hedhjes së shisheve dhe fishekzjarrë në fushë gjatë takimit me Sarajevën dhe Metalurh Donetsk, ku Kukësi u dënua me 27 mijë euro gjobë. Ndërsa në sezonin 2014/2015 u dënua sërish për ndeshjen e luajtur ndaj ekipit të Kazakistanit, Kairat Almaty, po për dhunë në stadiumin “Qemal Stafa”, ku u dënuan me 10 mijë euro gjobë.

Sa i përket ndeshjes, deri në atë moment, mysafirët ishin në avantazh me 2-1, pas golave të shënuar nga Nikoliç dhe Rzezniczan, ndërsa për vendasit shënoi Moreira Santos, kur barazoi shifrat në 1-1.