Pekini organizator i Lojërave Olimpike Dimërore 2022

31.07.2015 17:01

Do të jetë Pekini mikpritësi i Lojërave Olimpike Dimërore 2022, pas vendimit të marrë sot nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në Kuala Lumpur...

Kryeqyteti kinez mposhti konkurrencën e Almatit nga Kazakistani duke u bërë i pari qytet në histori që organizon si Olimpiadën verore (2008) ashtu edhe atë dimërore.

Metropoli me rreth 20 milionë banorë do ta marrë stafetën nga Pieongçangu i Koresë së Jugut, që do t’i organizojë lojërat në vitin 2018.

Pekini fitoi me vetëm katër vota më tepër se ish-kryeqyteti kazak (44-40), por që ishin të mjaftueshme për t’i çuar për herë të parë në Kinë Lojërat Dimërore.

Sesioni i 128-të i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar përcaktoi edhe qytetin organizator të Olimpiadës Dimërore për të rinj 2020, ku Lozana u përzgjodh me diferencë të madhe votash (71 – 10) kundrejt Brasovit nga Rumania.