Botë

Policia shqiptare asgjëson mbi 8.000 rrënjë bimë kanabis sativa

01.08.2015 15:07

Në qytetet Vlorë dhe Shkodër janë zbuluar dhe asgjësuar përmes djegies mbi 8.000 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, njoftoi Policia shqiptare...

Në Vlorë, në dy fshatra janë zbuluar 2.151 bimë kanabis të mbjella në 16 parcela dhe respektivisht në fshatin Dusharak, policia ka zbuluar 9 parcela me 1.327 rrënjë marijuanë, me lartësi që shkonin nga 15 deri në 150 centimetra.
 
Zbulohen dhe asgjësohen nga policia, 16 parcela me 2152 rrënjë bimë narkotike “Kanabis-sativa” në dy fshatra të Vlorës.
 
Ndërsa në fshatin Golimbas, policia ka zbuluar shtatë parcela me 825 rrënjë bimë narkotike kanabis me lartësi nga 40 cm deri në 150 cm. Bimët narkotike u konstatuan në vendin e quajtur “Pylli i vendit të mirë”, të mbjella në mes të bimësisë së dendur të cilat u asgjësuan me djegie. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.
 
Ndërkohë, Policia e Shkodrës, Pukës dhe Malësisë së Madhe, ka goditur disa raste të kultivimit të bimëve narkotike, dhe konkretisht në fshatin Kaftallë, në Pukë, janë gjetur dhe asgjësuar 16 parcela me 4.192 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, në fshatin Shpor, në Shkodër, janë gjetur dhe asgjësuar 10 parcela me 709 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, në fshatin Vasiaj, në Shkodër, janë gjetur dhe asgjësuar 11 parcela me 805 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, në fshatin Xhaj, në vendin e quajtur “Faqe e Kungullit” , në Malsësi të Madhe janë gjetur dhe asgjësuar një parcelë me 210 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa.
 
Në të dy rastet, bimët u asgjësuan me anë të djegies ku një pjesë e tyre u mor në cilësinë e provës materiale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve./mia