Maqedoni
Raufi: Nuk na i tregojnë provat, hetimi ka mungesa
03.08.2015 15:33
Të mërkurën në burgun e Prilepit dhe atë të Manastirit, pritet të vazhdojë procesi dëgjimor i tre të akuzuarve të tjerë të arrestuar pas aksionit policor në Kumanovë më 9 dhe 10 maj...

Avokati mbrojtës Naser Raufi pret që deri nesër prokuroria të njoftojë të burgosurit dhe avokatët e tyre me provat , që të mos përsëritet edhe në këto dy burgje, ajo që ndodhi me 6 të akuzuarit e tjerë të cilët refuzuan javën e kaluar të japin deklarata, me arsyetimin se më parë duhet të njihen me provat për të cilat akuzohen.
"Unë skam parë asnjë provë dhe jam I sigurtë që asnjë avokat nuk I ka parë ato. Prej në fillim e gjithë kjo lëndë mbahet si tepër sekret nuke di pse nuk ka tranbsparencë. E kuptoj për lëndët që deri tani janë proceduar me ligjin e vjetër sepse ligji ka qenë ashtu, por edhe atyre u është mundësuar që pas aktakuzës ti shohin të gjita provat. Mendoj që do arrijmë ta realizojmë këtë të drejtë që na takon sipas ligjit", shprehet avokati mbrojtës Naser Raufi.
Deri tani ajo që dihet është se mbi të paraburgosurit rëndon akuza për veprat terrorizëm dhe pjestarë të organizatës terroriste.
Por këto akuza nuk janë të plotfuqishme dhe Raufi pret njëherë të shqyrtojë provat e më pas të prononcohet rreth mënyrës së mbrojtjes. Sipas Raufit hetimi ka shumë mungesa.
"Nuk mund ta di cilat janë provat se nuk më janë prezentuar por mendoj që ka prova nga krim teknika , ka protokolle të obdukcionit, nuk e di a ka për policët e vrarë pasi janë varrosur menjëherë të nesërmen, janë në pyetje 8 policë dhe duhejt shumë kohë për obdukcionin, mendoj që hetimi ka shumë mungesa, por këtë e them pa parë asnjë provë. Asnjë avokati nuk i është prezentuar asnjë provë a kjo është një lëndë në të cilën duhet transparencë e madhe që të procedohet sipas ligjit", shprehet avokati mbrojtës Naser Raufi.
Avokati mbrojtës Naser Raufi për mosparaqitjen akoma të provave nga ana e prokurorisë, është ankuar tek OSBE, ndërsa ankesa do të drejtohen edhe në adresë të prokurorit publik dhe Amnesty Internacional.
Për rastin e Kumanovës ku humbën jetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur, akuzohen 33 persona.
REXHEP QAMILI
