Maqedoni
Analistët për deputetët e diasporës, partitë shqiptare më syçelë pas deklaratës së Gruevskit
03.08.2015 16:33
Partitë shqiptare duhet të jenë më syçelë pas deklaratës së djeshme të kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili u shpreh se numri i deputetëve të diasporës do të duhet të trefishohet...

Analisti politik Bashkim Bakiu thotë se Gruevski me një pronocim të tillë është mbështetur në kushtetutë ku lejohet rritje të numrit të deputetëve deri në 150, por tendencat e tilla kanë prioritet interesat politike që shkojnë në dëm të shqiptarëve.
“Me seriozitet duhet të shikohet deklarata e kryeministrit Gruevski sidomos nga opinioni shqiptar, qoftë intelektual, ekspertë dhe në veçanti politika shqiptare për shkak se mendoj se tendencat dhe qasjet e tilla bëhen më së shumti për interesa politik dhe partiak se sa për interes kombëtarë. Nuk është e rastësishme kjo që jep mesazh gruevski në këtë moment me qëllim që edhe po të humb, po të zbehet rejtingu dhe I partisë së tij në Maqedoni, ai do të gjej mekanizma që në këtë formë për të ngritur numrin e deputetëve që vetëm në të ardhmen, në zgjdhjet e ardhshme të jetë dominues i pakërcënueshëm qoftë nga opozita ose qoftë nga shqiptarët”, shprehet analisti Bashkim Bakiu.
Përpos kësaj, sipas Bakiut ka argumente të tjera që janë kundër deputetëve të diasporës. Ai numron aspektin ekonomik, të barazisë dhe drejtës së votës të dala nga një analizë në Qendrën për hulumtime politike, pjesë e së cilës është edhe Bakiu.
“Një deputet i diasporës kushton me harxhime sa 30 deputet të zgjehdur në Maqedoni dmth ai aspketi ekonomik I harxhimeve dhe çështja e barazisë së votës, dmth numri i votuesve që zgjedhin një deputet në diasporë mund të jetë nga 700 deri në 1mijë ndërsa në njësitë zgjedhore në Maqedoni ai duhet të graviton nga 6 mijë deri në 8 mijë”, shprehet analisti Bashkim Bakiu.
Të gjitha partitë e vogla me theks të veçantë partitë shqipëtare janë kundër deputetëve të diasporës, në ndërkohë propozojnë që dipasora të votojë për deputetët e vendit varësisht se nga cila njësi zgjedhore vijnë. Grupet e punës javën e shkuar nisën debat për votën e diasporës për të vazhduar pas 17 gushtit me gjithë temat tjera të nxehta në kuadër të marrëveshjes së Përzhinos që i dha fund krizës politike.
MERAL ISMAILI
