Polici plagos tre persona në Ferizaj

04.08.2015 14:11

Një përleshje me armë zjarri ka ndodhur të hënën në mbrëmje në magjistralen Prishtinë-Ferizaj me ç’rast kanë mbetur të plagosur tre persona, ndërsa i dyshuari është një polic, rreshter i stacionit policor të Lipjanit...

Kështu ka konfirmuar për “KosovaLive”, zëdhënësi i Policisë së Ferizajt, Basri Shabani.

“Në orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një incident përballë restorantit ‘Montana’ në fshatin Prelez. Si pasojë e kësaj tre persona kanë mbetur të lënduar ndërsa në këtë ngjarje është i involvuar edhe një polic i Kosovës, pra një rreshter i stacionit policor të Lipjanit. Kjo është krejt çka mund të themi deri më tani për arsye se me këtë po merret Inspektorati i Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Shabani.

Ai ka bërë me dije se gjendja e tre personave të lënduar është e mirë dhe janë jashtë rrezikut për jetë ndërsa tha se janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).