KE në mundje për kadetë

Eliminohet Riad Rexhepi, nesër do të paraqitet Elmedin Sejfullau

04.08.2015 15:16

Në Suboticë të Sërbisë, ka nisur sot Kampionati Evropian në mundje, për grupmoshën e kadetëve, ku në garat e stilit të lirë, Maqedonia prezantohet me gjithsej tre mundës, dy prej tyre të klubit të mundjes Liria.

Riad Rexhepi, në kategorinë deri në 58 kilogram, regjistroi paraqitjen e tij sot në Suboticë, por nuk pati fat dhe u eliminua që në raundin eliminator, nga kundërshtari i tij francez, Marvan Yezza, duke humbur me 6-2 në pikë.
 
Pas kësaj, Yezza nuk arriti të vazhdoj më tutje dhe në 1/8 e finales u eliminua nga armenasi Andreasyan dhe me këtë, Rexhepi humbi mundësinë për tu paraqitur në repasazh.
 
Pos tij, Maqedoninë sot në Suboticë e përfaqësoi edhe Martin Stojanov, në kategorinë deri në 42 kilogram, me ç`rast edhe ai u ndal nga kundërshtari I tij I parë, polaku Brzezinski.
 
Pos Rexhepit dhe Stojanovit, në Suboticë është edhe Elmedin Sejfullau, atuja kryesore dhe më e madhe e Maqedonisë për të fituar medalje. Fituesi i dy medaljeve të bronzta nga Evropianet e kaluara për kadetë, paraqitjen e tij do ta regjistroj nesër, në kategorinë deri në 54 kg.
 
Sejfullau, është shprehur I gatshëm, duke shpresuar që të përsërit arritjet në Tivar dhe Samokov, dhe pse jo, të na gëzoj të gjithëve me një plasman në finale.
 
MUSTAFA ADEMI