Botë

Kuvendi i Kosovës votoi pro gjykatës speciale

04.08.2015 16:37

Pas një debati të ashpër prej tetë orësh, Kuvendi i Kosovës, me dy të tretën e votave, respektivisht me 82 vota për, pesë kundër e një abstenim, mbrëmë ka miratuar amendamentin numër 24...

Pas një debati të ashpër prej tetë orësh, Kuvendi i Kosovës,  me dy të tretën e votave, respektivisht me 82 vota për, pesë kundër e një abstenim, mbrëmë  ka miratuar amendamentin numër 24, që i jep dritë jeshile  nisjes ligjore për themelimin e Gjykatës Speciale.

Seanca ka kaluar me debate të ashpra mes përfaqësuesve të koalicionit qeveritar dhe deputetëve të opozitës, veçanërisht atyre të Vetëvendosje.  

Zv.kryeministri Hashim Thaçi, pas një rezymeje  të shkurtër që prej daljes në skenë të UÇK-së, e deri në marrjen e pavarësisë, ju ka  kërkuar  deputetëve të votojnë ngritjen e gjykatës speciale.

Sipas tij ngritja e gjykatës speciale është një domosdoshmëri për rrugën integruese të vendit. Albin Kurti nga vetvednosja ka  thënë  se gjykata hedh baltë ndaj Kosovës dhe luftës çlirimtare, i cili ashpër  ka kritikuar atë amendament që parashikon burgimin e të dyshuarve në shtete të tjera dhe jo në Kosovë, e që sipas tij, ajo gjykatë, do ti ngjajë burgut të Guantanamos.

Votimin e themelimit të Gjykatës lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haradinaj,  e ka cilësuar gabim të  klasës politike, gabim i cili sipas tij,  do ta vështirësojë rrugën e Kosovës edhe në planin kombëtar  edhe në planin e jashtëm.  Ndërkaq, politika ndërkombëtare ka  mirëpritur aprovimin e speciales.

Misionet e BE-së dhe SHBA-ve ne Kosovë, përmes një deklarate të përbashkët  janë shprehur se më  këtë vendim, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi kanë demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit dhe për respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, e ka cilësuar hap të rëndësishëm miratimin e ligjit për themelim të Speciales. 

“Duke kuptuar që ky hap i deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk ishte i lehtë, është shenjë e përgjegjësisë dhe vendosmërisë për të nxjerrë të vërtetën dhe për të marrë vendime që janë në harmoni me rrugën evropiane të Kosovës”, ka thënë Mogherini.

Me miratimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës tani i lejohet Bashkimit Evropian që të vazhdojë me procedurat teknike për operacionalizimin e Gjykatës Speciale.

NERMIN MULAKU