Komuna e Çairit, 10 mijë euro ndihmë për Tetovën
Me banorët e Tetovës po solidarizohen edhe komunat tjera...

Në një seancë të jashtëzakonshme Këshilli i Komunës së Çairit ka vendosur të ndajë një shumë prej 10 mijë eurosh ndihmë. Duke shprehur ngushëllime për familjarët që kanë viktima nga kjo fatkeqësi natyrore, Kryetari i Çairit Izet Mexhiti tha se edhe në këto momente të këqija jemi bashkë me tetovarët.
“Në bashkëpunim me sektorin civil në këtë rast me “El Hilallin” nga Komuna e Çairit do të jetë një ndihmë simbolike 600 mijë denarë, ku gjithashtu u bashkëngjitën edhe këshilltarët edhe administrata ku rrogat e tyre këtë muaj do t’i dedikojnë për t’iu dal në ndihmë atyre që kanë nevojë në malësi dhe qytetin e Tetovës” – tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Poashtu Këshilltarët e komunës së Çairit njëzërit miratuan vendimin për të ofruar edhe pagat e tyre të këtë muaj, si dhe burime njerëzore, makineri e ndihma të tjera ushqimore për familjet e prekura nga stuhia në Tetovë.
Poashtu edhe komuna e Strugës ka njoftuar se në ditët në vijim, Këshilli komunal do të miratojë një ndihmë financiare për të ndihmuar Tetovën, ndërsa tanimë ka ofruar ndihmë me burime njerëzore nga njësia e zjarrfikësve dhe ndërmarrjet e tjera publike.
Ndërsa një grup fëmijësh nga qyteti i Strugës, në shenjë solidariteti dhe respekti ndaj bashkëmoshatarëve të tyre që humbën jetën në këtë katastrofë natyrore, shpërndanë fjongo të zeza dhe lodra. (Merita Gashi, TVM2)
