Futboll
Libertadores, River Plate në majën e Amerikës së Jugut
06.08.2015 14:48
River Plate rikthehet në majën e futbollit amerikano-jugor pas rreth dy dekadash arrin të fitojë Kupën Libertarores...

River Plate rikthehet në majën e futbollit amerikano-jugor pas rreth dy dekadash arrin të fitojë Kupën Libertarores pasi mundi në finalen e kthimit meksikanët e Tigres me rezultatin e pastër 3-0.
Një triumf mbi të gjitha vështirësitë dhe paragjykimet për legjendarët nga Buenos Airesi, të cilët në këto 20 vitet e funidt kanë provuar pothuajse gjithçka, që nga suksesi në Libertadores në vitin 1996 dhe deri tek rënia nga kategoria.
Skuadra e Marcelo Gallardos tregoi karakter dhe dëshirë për ta arkivuar këtë trofe që ështe i dyti brenda pak muajsh në kontinent pasi gjatë Dhjetorit River Plate arriti të fitonte edhe Copa Sudamericana. Edhe pse ndeshja e parë ishte mbyllur me rrjeta të paprekura kjo nuk i pengoi bardhekuqtë që të merrinin kontrollin e lojës në stadiumin “Monumental” përpara një publiku të etur për trofe.
Pak sekonda pas startit të pjesës së dytë, 22-vjeçari Lucas Alario që u bashkua me skuadrën vetëm disa ditë më parë, hapi serinë e golave pasi shfrytëzoi krosimin e Leonel Vangionit.
30 minuta më pas, Carlos Sanchez ekzekutoi me saktësi një 11-metërsh që i dhuroi Riverit golin e qetësisë, ndërsa në të 79-ën Ramiro Funes Mori vrau përfundimisht shpresën e meksikanëve duke i siguruar ekipit argjentinas Kupën e tretë Libertadores të historisë pas sukseseve në vitet 1986 dhe 1996.
Gjithsesi, rruga deri në finale nuk ishte aspak e lehtë për River Plate që u kualifikua me vështirësi në fazën e eleminimit dhe në çerekfinale arriti të kalonte pa e luajtur të plotë sfidën kundër rivalëve të urryer të Boca Juniors, pasi një tifoz i ekipit tjetër të Buenos Airesit sulmoi një lojtar të Riverit në tunelin e stadiumit.
Këtë trofe, Gallardo e ka fituar edhe si lojtar me River Plate në vitin 1996, duke e bërë mbremjen e trajnerit argjentinas edhe më të veçantë, pasi mbi të gjitha ai riktheu buzëqeshjen e një prej tifozerive më pasionante të Amerikës së Jugut.
