Futboll
Zyrtare, Shqipëria në vendin e 22 të FIFA-s
06.08.2015 14:51
Tashmë është zyrtare, Shqipëria ngjitet në vendin e 22 të klasifikimit të përgjithshëm të FIFA-s si asnjëherë më parë...

Ecuria fantastike e kuqezinjte të Giani De Biasit në eleminatoret e Euro 2016 pasqyrohet edhe në klasifikimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror për muajin e fundit ku Shqipëria fiton plot 14 pozicione, kjo edhe falë vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që i caktoi ekipit tonë përfaqësues fitoren 3-0 në tavolinë kundër Serbisë.
Bashkë me Meksikën, Shqipëria është e vetma skuadër që ka fituar më shumë vende në këtë klasifikim gjatë muajit të fundit, ndërsa një fakt edhe më interesant është se për herë të parë në histori, kuqezinjtë lënë pas Francën, Suedinë, Ganën, Rusinë dhe Danimarkën, ndërsa përsa u përket kundërshtarëve të Grupit I, përpara skuadrës së De Biasit qëndron vetëm Portugalia e cila ka fituar një pozicion duke u ngjitur në vendin e 6.
Në krahun tjetër, vendimi i KAS-it ka ndikuar dukshëm edhe në pozicionimin e Serbisë që ka humbur plot 23 pozicione duke zbritur në vendin e 66-të si askush tjetër gjatë muajit të fundit.
Përsa i përket podiumit të këtij klasifikimi, Argjentina vazhon të kryesojë, ndërsa Belgjika ka fituar një pozicion në kurriz të Gjermanisë duke u ngjitur në vendin e dytë.
