Maqedoni

Implementimi i marrëveshjes së Përzhinos, Thaçi skeptik, takon Bejlin dhe Orav

06.08.2015 17:25

Lideri I PDSH-së Menduh Thaçi skeptik ndaj jetësimit të marrëveshjes së arritur në Përzhino...

Shqetësimin e tij për joseriozitetin e tre partive politike ia shprehu ambasadorit të SHBA-ve dhe BE-së Bejli dhe Orav.
 
Gjatë takimit Thaçi ka kërkuar që mos të shkilen afatet e dhëna të implementimit të marrëveshjes, pasiqë në të kundërtën vetë marrëveshja do të humbte kuptimin e saj, ndërsa do t’a kthente vendin shumë mbrapa.
 
“Nëse afatet shkilen kthehemi shumë keq dhe gjithë marrëveshja bie. Skepticizmi qëndron në atë se nuk shoh një qasje serioze te partitë tashmë qeveritare, të tre partitë dhe normalisht do të shohim ditëve në vijim kur të fillojnë mbas 17 gushtit punimet e grupeve atëherë do të shohim saktësisht se çka do të ndodh“, shprehet kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Thaçi njofton se grupet e punës kanë bërë disa hapa para në kodin zgjedhor.
 
PDSH do të insistojë në përmbushjen e shtatë kërkesave të tyre, duke filluar nga statusi politiko - juridik i shqiptarëve e deri te çështja e regjistrimit të popullsisë.
 
“Nëse ne për katër muaj planifikojmë që të bëjmë evidentimin e listëts së re zgjedhore, do të na duhet edhe shumë pak, një muaj më tepër që të bëjmë regjistrimin. Është e gabuar ideja që ti bëjmë gjërat gjysma, gjysma. Regjistrimi është bazë e krijimit të statistikave kredibile te qytetarët se këtu nuk ka manipulim“, shprehet kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Përgjegjësia për aspektet tjera të realizmit të marrëveshjes sipas Thaçit bie mbi tre partitë tjera politike të cilat pas shtatorit pritet ti ndajnë përgjegjësitë dhe më pas të formojnë qeverinë e re.
 
Grupet e punës tashmë janë në pushim, ndërsa nga 17 gushti pritet të fillojnë punimet për të vazhduar temat e nxheta mbi kodin zgjedhor dhe zgjedhjen e prokurorit special.
 
MERAL ISMAILI