Përfundoi kriza e pengjeve në hotelin në Mali

08.08.2015 13:53

Kriza e pengjeve në hotelin "Biblos" në qytetin Sevare, në pjesën qendrore të Malit, përfundoi paradite pasi që anëtarët e forcave të sigurisë franceze dhe të Malit arritën t'i dëbojnë ekstremistët nga objekti që e ndërmorën dje...

Përfaqësuesi i forcave të sigurisë të Malit deklaroi se "hoteli është pastruar" dhe se operacioni kundër ekstremistëve ka përfunduar. "Tani ka marrë fund. Gjithçka përfundoi", plotësoi burimi i njejtë.

Ministria e Mbrojtjes e Malit informon se nga hoteli janë liruar pesë pengje. Paraprakisht, forcat e sigurisë kumtuan se  nga hoteli janë liruar katër pengje, të cilët menjëherë janë dërguar në Bomako.

Përfaqësuesi i misionit të KB-së në Mali informon se katër pengjet e liruar janë nëpunës në Organizatën botërore, por nuk e kumtoi kombësinë e tyre.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kontrollit të hotelit, ushtarët kanë gjetur edhe katër trupa të pajetë, me çka bilansi i tërësishëm i viktimave gjatë sulmit zyrtarisht është rritur të paktën në 12 persona.

Katër viktima të reja sipas Ministrisë, janë tre të punësuar në hotel dhe një sulmues. Paraprakisht ishte kumtuar se gjatë sulmit kanë humbur jetën edhe pesë ushtarë të Malit, dy nga sulmuesit dhe një shtetas i huaj, i cili ka qenë nëpunës në misionin e KB-së në Mali. Kombësia e të huajit të vrarë ende nuk është kumtuar.

Sipas DPA-së, sërish gjatë sulmit dhe aksionit të forcave të sigurisë për lirimin e pengjeve, kanë humbur jetën pesë sulmues, pesë ushtarë dhe tre civilë, prej të cilëve njëri është nëpunës i Misionit të KB-së.

Sipas mediave perëndimroe, mes pengjeve  të paktën janë tre afrikanojugorë dhe një rus,  i cili ka qenë i punësuar në kompaninë "JuTajr".  Mbrëmë njëri nga pengjet, shtetas ukrainas, arriti t'ju ikë ekstremistëve.

Autoritetet supozojnë se qëllimi i ekstremistëve ka qenë t'i rrëmbejnë shtetasit e huaj të vendosur në hotel dhe pastaj të kërkojnë sasi parash për lirimin e tyre.

Ekstremistët në Mali, të cilët janë të lidhur me Al Kaedën, viteve të fundit luftojnë me forcat qeveritare në pjesët veriore të vendit. Pas eskalimit të dhunës,  në janar të vitit 2013 Franca  ushtarakisht ka intervenuar në vend, me qëllim që ta pengojë përparimin e islamistëve në Bamako.

Në muajin maj të këtij viti qeveria e Malit ka nënshkruar marrëveshje për armëpushim me organizatën më të madhe kryengritëse Lëvizja e bashkuar e Azavadit,  ndaj të cilit në qershor u përfshinë edhe disa grupe më të vogla të armatosura. Por, edhe krahas armëpushimit, gjendja e sigurisë në vend edhe më tutje është jostabile.