Juventus “rrëmben” edhe Superkupën italiane
Juventusi shton në muze një tjetër trofe, Suuperkupën e Italisë. Në finalen e Shanghait përballë Lazios, bardhezinjtë sigluan një sukses të pastër 2-0 me gola të blerjeve të verës, Mandzukic e Dybala për të koleksionuar Superkupën e shtatë në historinë e klubit...

Ndeshja u zhbllokua në pjesën e dytë pasi në fraksionin e parë të dyja skuadrat hasën vështirësi për t’u përshtatur në fushën e stadiumit të Shanghait, në gjendje të mjerueshme. Pjesa e parë dhuroi shumë pak emocione, me të dyja skuadrat që preferuan ta ngacmonin pak njëra-tjetrën. Pjesërisht për shkak të fushës jo në gjendje për të pritur një sfidë të këtij niveli dhe pjesërisht për shkak të mungesës së freskisë fizike, Juventusi dhe Lazio nuk arritën të dhuronin një lojë mbi nivelin mesatar.
Mandzukic dhe Coman qëndruan larg zonës së Marchettit, ndërsa në krahun tjetër, Miroslav Klose nuk gjeti hapësira mes mbrojtjes së ngjeshur bardhezi. 45 minutëshi i dytë nisi me një tjetër marsh pasi Felipe Anderson shërbeu menjëherë një top në zonë por Cataldi u tregua i pavëmendshëm, ndërsa Mandzukic replikon me një goditje të gabuar pasi u gjend i vetëm me Marchettin dy minuta më vonë. Në të 49-ën Pogba lëshoi një silur por e djathta e francezit përfundoi ngjitur me shtyllën pingule të bardhkaltërve.
Goli ishte në ajër dhe Juventusi zhbllokoi shifrat në të 69-ën me Manzukic që shfrytëzoi një krosim për të djegur në duel mbrojtësin Dusan Basta. 4 minuta më pas, Dybala vendosi qershinë mbi tortë me një të majtë të pandalshme në zonën e rreptësisë. Juventusi i ri i Allegrit tregon karakter dhe për më tepër udhqen shpresa për sezonin e ri. Elementët e rinj morën përsipër fatet e skuadrës për t’i dhuruar trofeun e parë sezonal.
