FIBA lejon Rusinë të konkurrojë në Eurobasket 2015

09.08.2015 16:55

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit mban në fuqi dënimin e dhënë ndaj Rusisë por me një përjashtim të madh, kombëtarja e meshkujve do të marrë pjesë në Europianin që do të zhvillohet nga data 5 deri në 20 Shtator në 4 vende të ndryshme...

Edhe pse Federata Ruse është përjashtuar nga të gjitha kompeticionet zyrtare në 29 Korrik, FIBA ka bërë një përjashtim, duke mos e ndryshuar vazon e Grupit A ku bashkë me Rusinë bëjnë pjesë edhe Franca, Bosnja, Finlanda, Polonia dhe Izraeli. Vendimi u mor gjatë asamblesë së Federatës Ndërkombëtare që u zhvillua në Tokjo të Japonisë.

Skandalet që kanë përfshirë Federatën Ruse të Basketbollit ka krijuar një ngërç në këtë institucion por edhe në marrëdhëniet me FIBA-n. Pak muaj më parë, një gjykatë ruse e detyroi këtë institucion të zhvillonte zgjedhjet presidenciale, duke e cilësuar si jo të ligjshmëm votimin e vitit 2013. Në këtë mënyrë, një grup vëzhguesish nga FIBA do të monitorojë situatën për zgjedhjet e reja të cilat do të zhvillohen në datën 25 Gusht.

Federata Ndërkombëtare ka gjetur mbështetjen e qeverisë ruse dhe sipas të gjitha gjasave, një rregullore e re që do të miratohet së shpejti do të hyjë në fuqi brenda vitit të ardhshëm.