Lavrov kërkon përfshirjen e Sirisë në luftën anti-IS
09.08.2015 16:58
Rusia ka thënë se Shtetet e Bashkuara “nuk janë të përgatitura” për të përfshirë Qeverinë siriane në planet ndërkombëtare për luftimin e militantëve të Shtetit Islamik…

Duke folur për televizionin rus, ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ka thënë se ka diskutuar propozimin e presidentit Vladimir Putin, për koordinimin e përpjekjeve kundër IS-it, gjatë një takimi në Katar me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.
“Kam kërkuar nga ai që çdo gjë të diskutohet me përfshirjen e ushtrisë siriane. Fatkeqësisht, amerikanët nuk janë të përgatitur për këtë”, ka thënë Lavrov.
Ai po ashtu ka shprehur shqetësim për vendimin e SHBA-së për t’i siguruar mbështetje ajrore opozitës siriane, që lufton kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.
