Botë
Nga shpërthimi i bombolës së gazit 20 të plagosur
10.08.2015 10:21
Rrjedhja e gazit në një pikë të shitjes së bombolave të gazit, të vendosur në katin e parë të një pallati në rrugën "Don Bosko" në Tiranë...

Rrjedhja e gazit në një pikë të shitjes së bombolave të gazit, të vendosur në katin e parë të një pallati në rrugën "Don Bosko" në Tiranë, për pak sa nuk është shndërruar në një tragjedi, ku 20 persona raportohen të lënduar, katër biznese të shkatërruara tërësisht dhe dhjetëra banesa të dëmtuara si pasojë e forcës së madhe të shpërthimit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjithçka ka nisur nga dyqani i shitjes së bombolave të gazit, në pronësi të Hamza Hykës. Dyqani, jo më shumë se 10 metra katror, siç ndodh rëndom, ishte i vendosur në katin e parë të një pallati dhe ngjitur me të, tre biznese të cilat si pasojë e shpërthimit kanë pësuar dëme të shumta.
Rrjedhja e gazit nga njëra nga bombolat dhe ambienti pa ajrim, dyshohet të jetë dhe shkaku i shpërthimit të fuqishëm. Por, kjo gjë mbetet për t’u saktësuar nga grupi hetimor.
Ndërkaq, 20 persona të plagosur janë dërguar në Spitalin e Traumës dhe në Repartin e Djegieve në QSUT, ku kanë marrë ndihmën e parë, ndërsa të tjerë i janë nënshtruar dhe ndërhyrjeve kirurgjikale. Gjashtë nga të plagosurit raportohet se janë në gjendje më të rëndë si pasojë e plagëve të marra, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Kjo ngjarje, veç të plagosurve dhe dëmeve që la pas, ngriti edhe njëherë pikëpyetjet e shumta lidhur me kushtet e shitjes së gazit, vendet ku ato shiten dhe kontrollit që u bëhet këtyre subjekteve. Edhe pse për këtë ngjarje, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për pronarin e kësaj pike shitje të gazit lidhur me zbatimin e kushteve teknike.
Por, gjithashtu, ky shpërthim ngre pikëpyetje dhe mbi përgatitjen e strukturave policore, zjarrfikëse e mbi të gjitha spitalore, për përballimin e një situate të tillë./mia
