Futboll

Shkëndija bindëse, Shkupi me zemër, Renova dështon

10.08.2015 13:33

Është ekipi i Shkëndisë ai që dëshmoi më së shumti në hapjen e sezonit në ligën e parë futbollistike në vendin tonë...

“Kuqezinjët” e trajnerit Shpëtim Duro, në cilësinë e nikoqirit, në Çair të Shkupit, ndaj Mlladost CD, regjistruan një paraqitje mjaft të mirë, në fund duke fituar me rezultatin 3-1.
 
Por, nuk është rezultati ai që flet për dominimin absolut të Shkëndisë në këtë ndeshje, pasi fituesi nuk u diskutua as gjatë epërsisë së mysafirëve prej 1-0, ndërsa vendasit krijuan mbi 10 raste ideale për të shënuar, duke konkretizuar vetëm tre herë, përmes Hasanit, Ibraimit dhe Zhuniorit.
 
Sa I përket mesfushës dhe sulmit, te ekipi i Duros gjithçka funksionoi në mënyrë pothuajse perfekte, por, ishte mbrotja ajo që çaloi në minutën e parë dhe në disa raste të tjera, kur mysafirët u orvatën të befasojnë dhe është e dukshme që Shkëndija duhet të përforcoj këtë repart, me qëllim të vetëm, fitimin e titullit kampion.
 
Në derbin shkupjan mes ekipeve të Vardarit dhe Shkupit, mysafirët edhe pse ishin autsajder total para ndeshjes, në fund ia dolën të shkëputin rezultat pozitiv prej 2-2 dhe një pikë të madhe.
 
Të përzgjedhurit e trajnerit Zekirija Ramadani, fal një vendosje shumë të mirë nga strategu I ri shkupjan, në pjesën më të madhe të ndeshjes u mbrojtën me sukses, duke mos I lejuar shumë raste konkrete vendasve, të cilët për kushte tona, posedojnë një buxhet maramendas.
 
Në anën e kundërt, ishin Ardian Nuhiu me një gol të shkëlqyeshëm në pjesën e parë, si dhe Florent Osmani, në minutën e 90-të takimit, ata që dëshmuan përvojen e madhe nga takime të këtilla me peshë. Në këto 90 minuta të para, Shkupi dëshmoi se posedon kapacitet të arrihet qëllimi parësor para nisjes të sezonit, shmangja e zonës të plej autit, e nëse jepet mundësia, në suaza të mundësive, pse jo edhe të arrihet dalja në Evropë. 
 
Nga ekipet shqiptare, ishte Renova e cila dështoi plotësisht, edhe ate në mënyrë të papritur.
 
Të përzgjedhurit e trajnerit Qatip Osmani, përjetuan disfatë të thellë nga Turnova, duke u mundur me 4-0.
 
Është ky rezultat të cilin nuk e kanë pritur ndoshta as pesimistët më të mëdhenj në rradhët e “gjipsarëve” dhe besojmë se Renova, që nga xhiroja e dytë do të marr veten dhe do të kthehet me rezultate pozitive. 
 
MUSTAFA ADEMI