"Koha sot": Gjykata mund ta rrezikojë ëndrrën presidenciale të Thaçit
Ekspertët e sundimit të Ligjit dhe analistët politikë, theksojnë se përfshirja eventuale në listën e të akuzuarve e ish-drejtuesve të UÇK-së, pashmangshëm e obligon atë që të heqë dorë nga pretendimet për pozitën e presidentit, bëri të ditur sot gazeta e Prishtinës "Koha Sot"...

Njoftimet e ditëve të fundit, nga mediat e Kosovës dhe ndërkombëtare, se në mesin e të akuzuarve potencialë nga Gjykata Speciale e krimeve të luftës, do të jetë edhe lideri aktual i PDK-së, tani në pozitën e zëvendëskryeministrit të Kosovës dhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi shihen si lajme të këqija për koalicionin PDK-LDK.
Pamundësimi eventual i kandidimit të Hashim Thaçit për president të vendit, sipas marrëveshjes mes dy partive të mëdha mund të nxisë zgjedhje të reja. Ekspertët e sundimit të Ligjit dhe analistët politikë, pa dashur të paragjykojnë rreth përbërjes finale të listës së të akuzuarve nga Gjykata Speciale, theksojnë se përfshirja eventuale në këtë listë e Thaçit, detyrimisht e obligon atë që të heqë dorë nga pretendimet për pozitën e presidentit.
Profesori i së drejtës, Mazllum Baraliu, ish-kryeshef i KQZ-së, thotë se këto raportime të medieve të ndryshme, dhe lakimi i disa emrave si të mundshëm për të akuzuar potencialë nga Gjykata Speciale, në mesin e tyre edhe të liderit të PDK-së Thaçi, mund të jenë raportime mbi bazën e indikatorëve të besueshëm që kanë këto medie, por pa përjashtuar edhe ndonjë përmbajtje spekulative.
