ZBATIMI I MARRËVESHJES POLITIKE

Neziri: Nga 17 gushti do të ketë edhe taktizime politike

11.08.2015 15:40

Partitë politike janë të interesuar të implementojnë marrëveshjen politike, por nga 17 gushti nuk do të mungojnë taktizimet në reformimin e ligjeve zgjedhore, zgjedhjen e prokurorit special dhe emërimin e minitsrave...

Analisti i zhvillimeve politike Xhelal Neziri thotë se kalkulimet politike pritet të shtojnë monitorimin e faktorit ndërkombëtarë ku nuk do të kishin munguar as dënimet.

“Mund të pres që të ketë taktizime politike nga ana e partive pjesëmarëse në këtë proces, megjithatë gjitha këto do të jenë nën një monitorim të reptë dhe të drejtëpërdrejtë të garantuesve të kësaj marrëveshje dhe çdo ngecje do të ketë një dënim nga ana e faktorit ndërkombëtarë. Nuk do të thotë që këto taktizime të rrezikojnë procesin, megjithatë do të vështirësojë procesin gjë që do të involvojë edhe më tepër faktorin ndërkombëtarë“ – tha analisti politik, Xhelal Neziri.

Analisti Neziri thotë se para se të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare do të duhet të dihet numri i saktë i votuesve. Sipas Nezirit  pastrimin e listave zgjedhore do ta mundesonte regjistrimi i popullsisë.

“Pa një regjistrim të mirëfillt jo vetëm që nuk do të dihej struktura e mirëfilltë e popullsisë në Maqedoni por nuk do të dihet numri i saktë i votuesve. Flitej për vota fiktive dhe vetëm me regjistrim mund të eliminohet ky dyshim. Regjistrimi është një proces që mund të kryhet dhe për këtë do të duhet të bëjnë presion gjitha subjektet politike shqiptare pse jo edhe ato maqedone“ - tha analisti politik, Xhelal Neziri.

Për regjistrimin e popullsisë insiston edhe partija e Thaçit. Qëndrimi u paraqit gjatë takimit me amabasdorin e SHBA-ve Xhes Bejli dhe të BE-së Aivo Orav javën e kaluar në amabasdën amerikane. Pro zbatimit të marrëveshjes u shpreh edhe BDI duke u zotuar në konstruktivitet dhe paraqitje të propozimeve mbi partiake. (Meral Ismaili, TVM2)