Futboll

Sonte super kupa Barcelona - Sevilla

11.08.2015 17:42

Barcelona bën hapin e fundit në drejtim të sezonit perfekt, me ç`rast në Tbilisi përballet me Sevillan në finale të Superkupës së UEFA-së...

Megjithë reputacionin si asgjë më shumë se një miqësore e mbivlerësuar, Superkupa e UEFA-së është një nga trofetë më të vështirë për të arritur në finale, pasi vetëm fituesit e dy garave evropiane arrijnë aty.
 
Blaugranat janë mposhtur me stil nga skuadra me të cilën përballen në po të njëjtën garë, në vitin 2006, derisa Sevilla udhëhiqej nga një mbrojtës brazilian krahu, i quajtur Dani Alves. Që atëherë, skuadra nga Camp Nou ka përmirësuar paraqitjet në këtë garë, duke fituar në dy përballjet e fundit.
 
Që nga trofeu i Ligës së Europës, Sevilla ka bërë disa ndryshime; sulmuesi Carlos Bacca është larguar drejt Milanit dhe Aleix Vidal drejt Barcelonës.Ka pasur edhe përforcime, si Yevhen Konoplaynka dhe Ciro  Immobile. Por, a janë në nivel të njëjtë me skuadrën që vjet shkëlqeu? Vetëm koha do ta tregojë.
 
Barcelona nga ana tjetër është e palexueshme. Luis Enrique nuk ka shpalosur shumë në para-sezon, duke e bërë të vëshitrë leximin nga kundërshtarët. Normalisht, Aleix Vidal dhe Arda Turan, nuk do të paraqiten pasi skuadra e ka të ndaluar të regjistrojë lojtarë të rinj deri në janar të vitit tjetër. Në portë pritet të jetë Marc Andre ter Stegen, gjermani që ka hyrë në zemrat e katalanëve.
 
Dani Alves, i padiskutueshmi i mbrojtes, pritet të ketë përkrah Gerrard Piquen, Mathieu dhe Javier Mascheranon. Në mesfushë para shkatërruesit spanjoll, Sergio Busquets, do të jenë Ivan Rakitic, Andres Iniesta e ndoshta në një kohë të caktur edhe Rafinha.
 
Lëndimi i Neymar do t’i mundësojë Pedros që të paraqitet në krah, bashkë me dy të padiskutueshmit, Messi e Suarez. Sa i takon superkupes, Barcelona është favorite të paktën në letër, për shkak të organikës më cilësore që ka përballë rivalëve të Seviljes. Katalanasit janë 4 herë fitues të këtij trofeu, i fundit në vitin 2011.  
 
Megjithatë në një sfidë të vetme, skuadra e Unai Emeri është gjithnjë e paparashikueshme.
 
Barcelona kundër Sevilja do të gjykohet nga skocezi William Collum.