Maqedoni

Analistët maqedonas për MO, MO çon vendin drejt federalizimit

12.08.2015 15:40

Katërmbëdhjetë vjetë pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit po përjetohet dhe komentohet në forma të ndyshme...

Sipas analistëve maqedonas Marreveshja e Ohrit e ndërpreu konfliktin e vitit 2001, por zbatimi i saj nuk ndërtoi një shoqëri multietnike.
 
Në debatin e organizuar nga Lëvizja Popullore për Maqedoni, mbisundoi bindja se MO po çon vendin drejt federalizimit.
 
Analisti Toni Naunovski madje tha se është kundër kësaj marrëveshje dhe se ajo duhet të shfuqizohet në Kuvend.    
 
“Për aq kohë sa ekziston kjo marrëveshje kornizë ne nuk mund të zhvillohemi si shtet dhe vazhdimisht do të jemi të destabilizuar nga brenda, me rrezikun që një ditë të jemi të federalizuar”, shprehet analisti Toni Naunovski.
 
Zbatimi i MO-së është larg ndërtimit të një shteti multienik, thotë analisti Jove Kekenovski. 
 
“Në marrëveshje ekziston fryma e multietnicitetit, por me zbatimin e MO-së në praktikë, ne, nga shtet multietnik u bëm shtet binacional”, shprehet analisti Jove kekenovski.
 
Ndërkaq, historiani Todor Çepreganov rikujtoi analistët se kjo marrëveshje, pavarësisht sa mund të kritikohet nga maqedonasit, ajo, është pranuar dhe nënshkruar nga pala maqedonase dhe si e tillë duhet zbatuar.
 
“Marrëveshje, që është nënshkruar nga maqedonas, ne e kritikojmë. Ndërkaq, duhet ta zbatoni. Dhe e dini se duhet ta zbatoni. Por, si do ta zbatoni?! Atë do t’ju tretgojnë mediatorët. Kjo që po na ndodh nuk është rastësi. Duket sikur maqedonasit kanë ik nga orët e historisë”, shprehet historiani Todor Çepreganov.
 
Në debatin me analistë, ish diplomat dhe historian, ekskluzivisht të etnisë maqedonase, u tha se marreveshja është vulgarizuar dhe keqpërdorur nga partitë politike, për nevoja të politikës ditore dhe në dëm të të ardhmes së shtetit.
 
SHPËTIM NUREDINI