Maqedoni
14 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, partitë kritikojnë zbatimin në praktikë
13.08.2015 15:47
Partitë politike reagojnë ndaj përmbushjes në praktike të angazhimeve të ndërmara 14 vite më pare me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit...

Nëpërmjet një komunikate për media nga PDSH thonë se mospërmbushja e obligimeve bazë që burojnë nga kjo marrëveshje i bën të pa vend manifestimet përkujtimore që organizon BDI.
Nga partija e Thaçit thonë se sivjet mbushen edhe 11 vite nga tejkalimi i afatit të implementimit të kësaj Marreveshje, andaj imponohet nevoja për një Marrëveshje të Re.
Edhe Lëvizja për reforma në PDSH e Zijadin Selës shprehet për një marrëveshje të re politike pasi Marrëveshja e Ohrit nuk korri rezultatet e pritura. Ata propozojnë formimin e një shteti binacional ku do të kishte decentralizim të buxhetit.
RDK konsideron se afati i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit ka skaduar që në vitin 2004. Tani kjo marrëveshje sipas RDK-së vendin e ka në sirtaret e bibliotekave universitare. Ndëraq Lëvizja Besa e shpalli të vdekur Marrëveshjen kornizë.
“Kur kishte lindur ajo ishte menduar të ishte kornizë për kohezionin ndëretnik në Maqedoni por me kalimin e kohës ajo u bë mjet që I punësonte aktivistët partiak që do të shërbenin si mbledhës votash dhe asgjë më shumë. Gjithë kjo e dëmtoi rëndë shëndetin e saj, derisa e paralizoi tërësisht dhe e solli në gjendje të vdekjes klinike”, shprehet përfaqësuesi i Forumit Rinor të Lëvizjes Besa, Fuat Sahiti.
Shoqata e veteranëve të luftës afatizon realizimin e këtij dokumenti të nënshkruar nen për neni deri në nënëtor të 2015-ës.
Sipas SHVL- UÇK-së në marrëveshje parashikohet qartë edhe çështja e sakrificës, të të vrarëve dhe të plagusorve si dhe të invalidëve dhe të lënduarve shpirtrisht. Sipas SHVL–UÇK- së shqiptarët për dallim nga të tjerët nuk I gëzojnë këto të drejta legjitime.
Marrëveshja e Ohrit e nënshkruar me ndërmjetësim ndërkombëtarë u ngrit mbi 5 parimet themelore, të cilat u shoqëruan me ndryshimet kushtetuese për një shoqëri shumë-etnike ku shqiptarët do të kenë rolin shtetformues.
Decentralizimi i pushtetit ishte ndër pikat kryesore të dokumentit. Më pas renditej përfaqësimi i drejtë dhe mosdisktiminimi dhe përfaqësimi I drejtë I shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit.
Shqiptarëve që përbëjnë mbi 20% të popullsisë në Maqedoni, përmes Marrëveshjes së Ohrit, iu garantohej e drejta e përdorimit të shqipes si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase, pa harruar këtu edhe simbolet kombëtare.
MERAL ISMAILI
