Botë
Rusi: Sanksione për import ushqimesh nga Shqipëria
13.08.2015 17:25
Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka bërë të ditur se edhe kundër katër shteteve të tjera është urdhëruar ndalesë e importit të ushqimeve...

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka bërë të ditur se edhe kundër katër shteteve të tjera është urdhëruar ndalesë e importit të ushqimeve, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Mali i Zi, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Medvedev, po ashtu, i është kërcënuar Ukrainës se prodhimet e saj do të përfshihen në listën e zezë ruse, nëse Kievi i implementon disa pjesë ekonomike të Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian.
Më herët, Rusia e ka ndaluar importin e prodhimeve ushqimore nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Bashkimi Evropian.
Këto masa janë zbatuar si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit të kalaur, dhe për mbështetjen e Moskës për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës.
